Nga sot, 22 tetor 2026, ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal në qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Njësisë së Vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, qytetarët mund ta marrin vaksinën në Qendrat e Mjekësisë Familjare më të afërta, aty ku funksionojnë njësitë e vaksinimit.
Për t’u vaksinuar, qytetarët duhet të kenë me vete letërnjoftimin. Ndërkaq, për fëmijët e vegjël kërkohet certifikata e lindjes me numrin personal, për regjistrimin e të dhënave në sistem.
Vaksinimi në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare do të zhvillohet nga ora 07:00 deri në 20:00, ndërsa në Qendrat e Mjekësisë Familjare do të jetë i mundur nga ora 07:00 deri në 13:30.
Njësia e Vaksinimit në QKMF-në e Prishtinës u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë këtë shërbim.

