Enj. Tet 22nd, 2026

Aktakuzë për vrasjen e vëllait pas mosmarrëveshjes për pronën në Klinë

Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet J.J., i dyshuar për vrasjen e rëndë të vëllait të tij, Faruk Isufi, në fshatin Bokshiq të komunës së Klinës. Ai akuzohet edhe për mbajtje, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 21 mars të këtij viti, rreth orës 15:00, pas një mosmarrëveshjeje për çështje pronësore mes viktimës dhe babait të tyre. I dyshuari dyshohet se ka marrë një armë zjarri nga shtëpia dhe ka shtënë katër herë në drejtim të vëllait të tij.

Si pasojë e plagëve të marra, Faruk Isufi ka pësuar gjakderdhje të madhe të brendshme dhe të jashtme, për shkak të dëmtimit të arteries në këmbën e majtë. Ai më pas ka ndërruar jetë në Spitalin e Pejës.

Në aktakuzë thuhet gjithashtu se i pandehuri ka mbajtur dhe poseduar pa autorizim një pistoletë të kalibrit 9 me 19 milimetra, së bashku me një karikator dhe dhjetë fishekë të të njëjtit kalibër, pa pasur leje nga organet kompetente.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës kompetente që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohet.

Postime të Ngjashme