Drejtoresha e Klinikës Infektive, Vera Ndrejaj, ka paralajmëruar për rrezikun e përhapjes së sëmundjeve infektive, ndërsa infektologu Shemsedin Dreshaj thotë se deri tani nuk ka dëshmi se varianti i ri është më i rrezikshëm se variantet paraprake.
“Për këtë variant që e përmendët, nuk kemi konfirmim nga IKSHPK-ja. Sa i përket rrezikut të përhapjes së sëmundjeve infektive, natyrisht jo vetëm Covid-i 19 por me lëvizje-migrim të popullatës edhe sëmundje të tjera infektive mund të përhapen, pra migrimi e favorizon përhapjen e sëmundjeve infektive”.
Kështu ka bërë të ditur për Radio Dukagjinin drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Vera Ndrejaj, e cila ka theksuar se lëvizjet dhe migrimi i popullatës mund të favorizojnë përhapjen e sëmundjeve infektive.
Ndërkaq, infektologu Shemsedin Dreshaj ka vlerësuar se asnjë vend nuk mund të përjashtohet nga rreziku i përhapjes së këtij varianti.
“Në periudhën e globalizimit gjasat që të kemi përhapje globale të një infeksioni janë, mirëpo, të njohurat të deri sotme lidhur me këtë virus, nuk dëshmojnë që është diçka më i rrezikshëm se sa variantet paraprake të Covid-it 19 që i kemi evidentuar në botë dhe në vend. Niveli i imunizimit të popullatës si me vaksina si dhe kontakte të drejtpërdrejta me virusin e egër, kanë bërë atë që manifestimet klinike të nënvarianteve të Covid-it 19 të jenë më të buta se sa varianti origjinal”, theksoi Dreshaj.

