Hën. Tet 12th, 2026

Kallëzim penal ndaj 37-vjeçarit që rrezikoi trafikun me motoçikletë në Shkup

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se do të ngrejë kallëzim penal ndaj një 37-vjeçari nga Shkupi, i cili është filmuar duke kryer manovra të rrezikshme me motoçikletë në bulevardin “Aradhet Partizane”.

Rasti u bë publik më 10 tetor, kur në disa portale dhe media elektronike u publikuan pamje ku shihej drejtuesi duke e ngritur motoçikletën “Suzuki” në një rrotë, në afërsi të kryqëzimit me rrugën “29 Nëntori”. Me këto veprime, ai rrezikonte sigurinë e vet dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.

Pas publikimit të pamjeve, njësitë policore për sigurinë e komunikacionit rrugor, në bashkëpunim me sistemin “Qyteti i Sigurt”, ndërmorën veprime për identifikimin e drejtuesit. Hetimet zbuluan se motoçikleta me targa të Shkupit ishte drejtuar më 3 tetor nga A.A., 37 vjeç, nga Shkupi.

Policia fillimisht zhvilloi bisedë me pronarin dhe më pas me personin që e kishte përdorur motoçikletën. Gjatë intervistimit, 37-vjeçari pranoi se e kishte drejtuar mjetin pa pasur patentë shoferi dhe se pamjet e manovrave i kishte publikuar vetë në profilin e tij në rrjetin social TikTok.

Për rastin është njoftuar prokurori publik i Prokurorisë Themelore Publike në Shkup. Kundër të dyshuarit do të parashtrohet kallëzim penal sipas nenit 297-a të Kodit Penal, për drejtim të pakujdesshëm të automjetit motorik, si dhe nenit 298, për rrezikim të sigurisë në komunikacion përmes veprimit ose mjetit të rrezikshëm.

Postime të Ngjashme