Hën. Tet 12th, 2026

Britania e Madhe dëboi 2.247 shqiptarë, 80 për qind e tyre të dënuar për përfshirje në shitjen e kokainës

Shqiptarët për të pestin vit radhazi renditen të parët për nga numri i personave të kthyer me detyrim nga Britania e Madhe. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme britanike, për periudhën e raportuar janë regjistruar 2.247 shtetas shqiptarë të kthyer me detyrim, duke lënë pas shtetasit rumunë, brazilianë, indianë dhe polakë.

Sipas këtyre të dhënave, pjesa më e madhe e shqiptarëve të kthyer me detyrim kanë qenë persona të dënuar për vepra të ndryshme penale. Ata janë kthyer në Shqipëri me fluturime të posaçme pasi kanë vuajtur një pjesë të dënimit të tyre. Raportohet se rreth 80 për qind e tyre ishin dënuar për vepra që lidhen me shitjen e kokainës.

Shqiptarët përbëjnë gjithashtu grupin më të madh kombëtar në mesin e personave të kthyer nga Britania e Madhe në kuadër të procedurave të lidhura me azilin. Deri në mars të vitit 2026, 2.831 shtetas shqiptarë përbënin 24 për qind të të gjitha kthimeve të kësaj kategorie.

Gjatë vitit 2022, më shumë se 12 mijë shqiptarë mbërritën në Britaninë e Madhe me gomone, duke kaluar Kanalin e La Manshit. Sipas të dhënave të autoriteteve britanike, gjatë vitit 2025, shqiptarët përbënin 53 për qind të personave që kishin mbërritur me gomone dhe më pas ishin dëbuar.

Ndërkohë, nga 1 shkurti 2025 deri më 31 janar 2026, gjithsej 2.835 emigrantë u larguan nga Britania e Madhe me avionë, me një kosto totale prej 13,8 milionë paundësh, apo rreth 5 mijë paundë për person.

Kostoja e disa operacioneve të riatdhesimit ka qenë edhe më e lartë. Sipas raportimeve, kthimi i 47 shqiptarëve me një avion privat të tipit Airbus A321 i kushtoi Ministrisë së Brendshme britanike rreth 22 mijë paundë për person.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike ka deklaruar se më shumë se 80 mijë emigrantë që kanë hyrë ilegalisht në vend, si dhe shtetas të huaj të dënuar për vepra penale, janë kthyer që nga zgjedhjet e korrikut 2024. Sipas tij, kjo përfaqëson një rritje prej 41 për qind.

Shqipëria ka pasur numrin më të madh të fluturimeve çarter për kthimin e emigrantëve, me 42 fluturime të organizuara për riatdhesimin e 1.810 personave që kishin shkelur rregullat e emigracionit ose kishin kryer vepra penale.

Postime të Ngjashme