Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po vazhdon në fazën e përgatitjes së ankesave kundër aktgjykimit të shkallës së parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Palët kanë afat deri më 27 nëntor për të njoftuar nëse do ta kundërshtojnë vendimin.
Fillimisht, afati për njoftimin e apelimit ishte caktuar për mesin e tetorit, por Paneli i Apelit e shtyu atë pas kërkesës së ekipeve mbrojtëse. Kërkesa u arsyetua me kompleksitetin e çështjes gjyqësore dhe me faktin se avokatët nuk e kishin pranuar ende aktgjykimin e përkthyer në gjuhën shqipe.
Nga Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se deri tani nuk ka parashtresa publike që dëshmojnë se ndonjëra nga palët e ka dorëzuar zyrtarisht njoftimin për apelim apo ka përcaktuar pjesët e aktgjykimit që synon t’i kundërshtojë. Procedura e apelit nis pikërisht me dorëzimin e këtij njoftimi.
Në shkallën e dytë, palët mund të kundërshtojnë vendimin për shkak të gabimeve të pretenduara në zbatimin e ligjit, në vlerësimin e fakteve ose në caktimin e dënimit. Ato mund të kërkojnë edhe paraqitjen e provave shtesë, duke shpjeguar se me cilat gjetje faktike të trupit gjykues lidhen ato.
Paneli i Apelit ka disa mundësi: ta vërtetojë aktgjykimin, ta rrëzojë ose ta ndryshojë atë. Në rrethana të caktuara, mund të urdhërojë edhe rigjykimin e çështjes. Nëse kundërshtimi lidhet vetëm me dënimin, procedura deri te vendimi mund të jetë më e shkurtër.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka vlerësuar se kohëzgjatja e procesit do të varet nga mënyra se si do ta trajtojë çështjen Paneli i Apelit. Sipas tij, nëse vendoset rihapja e procesit gjyqësor, procedurat mund të zgjasin më shumë. Ai ka shprehur pritjen se, duke u bazuar në raste të mëparshme, vendimi i Apelit mund të merret brenda 12 deri në 18 muajve të ardhshëm.
Edhe avokati Arbër Jashari ka folur për sfidat që i presin palët, duke përmendur edhe zbatimin e ndryshimeve të fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Sipas tij, kjo do të jetë një rrugë e gjatë dhe sfiduese, pasi gjykata është krijuar në partneritet me Bashkimin Evropian dhe ndryshimet kërkojnë koordinim e dakordim me partnerët ndërkombëtarë.
Kujtojmë se më 16 shtator, në aktgjykimin e shkallës së parë, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Këto vendime tashmë mund të kundërshtohen përmes procedurës së apelimit, ndërsa vendimi përfundimtar do të varet nga shqyrtimi i argumenteve të palëve nga gjykata e shkallës së dytë.

