Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot zëvendëskryetarin e Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Behlul ef. Kanaçi, i cili shoqërohej nga udhëheqësit e Mexhlisit të Ostrosit (treva e Krajës), kryeimami Irfan ef. Kaca dhe kryetari Sali Doda.
Myftiu Tërnava dhe zëvendëskryetari Kanaçi vlerësuan lart bashkëpunimin ndërmjet dy bashkësive simotra, asaj të Kosovës dhe të Malit të Zi. Ata theksuan se ekzistojnë mundësi të shumta për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës, trashëgimisë, arsimit dhe zhvillimit të jetës fetare.
Zëvendëskryetari Kanaçi dhe udhëheqësit e Mexhlisit të Ostrosit e falënderuan Myftiun për kujdesin dhe mbështetjen e vazhdueshme që Bashkësia Islame e Kosovës u ka ofruar banorëve të Krajës dhe zonave të tjera ku një mbështetje e tillë është e nevojshme.
Mbështetja e Bashkësisë Islame të Kosovës ka rëndësi të veçantë për ne, sidomos në fushën e literaturës dhe arsimit, si dhe në krijimin e infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve kulturore e fetare, me qëllim të ruajtjes dhe kultivimit të kulturës, traditës dhe trashëgimisë sonë kombëtare e fetare.
Myftiu Tërnava, edhe me këtë rast, shprehu gatishmërinë e tij dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës për t’i mbështetur, aq sa të jetë e mundur, vëllezërit tanë në trevat e tyre historike në Mal të Zi.

