Kryetari i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim një delegacion të Asamblesë Botërore të të Rinjve Myslimanë (WAMY), të udhëhequr nga dr. Abdulaziz al Jabreen, profesor në Universitetin “Al Imam”, si dhe konsulent dhe anëtar i Komitetit të Evropës në këtë organizatë.
Gjatë takimit, u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe WAMY-së, me theks të veçantë në realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e edukimit, arsimit fetar dhe angazhimit me të rinjtë.
Myftiu Tërnava theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me organizatat dhe institucionet islame ndërkombëtare, në funksion të avancimit të vlerave të përbashkëta, forcimit të lidhjeve vëllazërore dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillimin e aktiviteteve edukative e kulturore.


