Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të hënën në Prishtinë senatoren amerikane Jeanne Shaheen dhe senatorin Dick Durbin, me të cilët ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për zhvillimet politike, të sigurisë dhe ekonomike në vend.
Përmes një postimi, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit ka kërkuar mbështetjen e dy senatorëve për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për shndërrimin e kampit ushtarak Bondsteel në bazë të përhershme ushtarake.
Ai ka vlerësuar kontributin e Shaheen dhe Durbin në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, duke theksuar se ata e kanë uruar për mandatin e ri qeverisës dhe zgjedhjen e presidentes së Kosovës.
Kurti ka theksuar se paqja dhe siguria në Kosovë janë të qëndrueshme, por ka shprehur shqetësim për veprimet dhe deklaratat kërcënuese të Serbisë. Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe raportet ndërmjet presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe Milan Radoiçiqit.
Gjatë bisedimeve janë trajtuar edhe reformat në arsim dhe drejtësi, procesi i vettingut, si dhe krijimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Sa i përket zhvillimit ekonomik, kryeministri ka bërë të ditur se eksporti i shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) është pesëfishuar gjatë pesë vjetëve të fundit dhe se ky sektor aktualisht përbën 6 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Ai ka theksuar gjithashtu se ekonomia e Kosovës po vazhdon të rritet me mbi 4 për qind. Sipas tij, gjatë mandatit të ri qeverisës synohen investime në hekurudha, diga, industrinë e mbrojtjes dhe stadiume sportive, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

