Në Tiranë është mbajtur protesta e 135-të kundër qeverisë, ku qytetarët kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe formimin e një qeverie teknike.
Protestuesit janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skënderbej”, prej nga kanë marshuar drejt godinës së Kryeministrisë. Aty, përmes fjalimeve dhe thirrjeve, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.
Pas përfundimit të fjalimeve, tubuesit kanë ndryshuar itinerarin dhe janë zhvendosur drejt hyrjes së pasme të Kryeministrisë.
Lëvizja e protestuesve erdhi pas njoftimit të aktivistit Edison Lika se kryeministri Edi Rama ndodhej në ambientet e godinës së qeverisë.
Pas kësaj, forca të shumta policore janë pozicionuar pranë hyrjes dhe kanë krijuar një kordon, me qëllim pengimin e afrimit të protestuesve.
Protestat në kryeqytetin shqiptar po vazhdojnë për të 135-ën ditë, me kërkesa për largimin e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.

