Ish-futbollistja Edonisa Aliu ka reaguar publikisht pas incidentit të ndodhur pas përfundimit të emisionit “Dueli Sportiv”, ku pretendon se është fyer dhe sulmuar fizikisht nga analisti sportiv dhe trajneri i KF Vëllaznimit, Liridon Leci.
Përmes një sqarimi publik, Aliu ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur pas përfundimit të emisionit, duke theksuar se për incidentin ka dëshmitarë, mes tyre Ndrec Gjonaj dhe Faruk Statovci.
Ajo ka kërkuar që rasti të hetohet deri në detaje dhe të shqyrtohen pamjet filmike nga momenti i përfundimit të emisionit deri në përfundim të incidentit, në mënyrë që të dokumentohen të gjitha rrethanat.
Aliu ka theksuar se e vërteta duhet të zbardhet dhe se askush nuk duhet të ndihet i paprekshëm përballë veprimeve të tilla.
