Ka ndërruar jetë edhe punëtori i dytë shqiptar që mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi në një rafineri nafte në Greqi.
Shqiptari ishte në gjendje jashtëzakonisht kritike dhe po trajtohej në Spitalin e Përgjithshëm “Thriasio” në Elefsinë. Ai kishte pësuar lëndime të rënda në kokë dhe ishte intubuar.
Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra, duke e çuar në dy numrin e punëtorëve që humbën jetën si pasojë e shpërthimit.
Ngjarja ndodhi të premten, gjatë punimeve të mirëmbajtjes në rafinerinë “Motor Oil”, në zonën e Agioi Theodoroi, rreth 60 kilometra në perëndim të Athinës.
Shpërthimi ndodhi gjatë punimeve në njësi të rafinerisë, ndërsa rrethanat e sakta të incidentit po hetohen nga autoritetet përkatëse.

