Die. Tet 11th, 2026

Një muaj paraburgim për Valon Ramushin, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes dhe kunatit

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Valon Ramushit, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vëllait të saj, si dhe për plagosjen e një personi tjetër.

Ramushi dyshohet për dy vepra penale: vrasje e rëndë dhe mbajtje, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas përshkrimit të ngjarjes nga gjykata, rasti ka ndodhur më 9 tetor 2026, rreth orës 14:21, në fshatin Livoç i Ultë të Gjilanit. I dyshuari, pas një mosmarrëveshjeje për motive që ende nuk janë bërë të ditura, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj bashkëshortes së tij, e cila ndodhej në veturë, duke i shkaktuar vdekjen.

Më pas, ai dyshohet se është kthyer në një rrugë tjetër dhe ka ndaluar pranë veturës ku ndodheshin familjarët e bashkëshortes. Sipas gjykatës, pas daljes së tyre nga automjeti, i dyshuari ka shtënë me armë në drejtim të tyre.

Si pasojë, vëllai i bashkëshortes ka mbetur i vrarë në vendin e ngjarjes, ndërsa një person tjetër është plagosur rëndë. Një person i tretë ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes.

Pas kësaj, i dyshuari dyshohet se e ka dërguar trupin e bashkëshortes në oborrin e Spitalit Rajonal të Gjilanit, pranë emergjencës, dhe më pas është dorëzuar në polici.

Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është i nevojshëm për zhvillimin e mëtejshëm të procedurës penale, pasi masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme.

Ndaj vendimit për caktimin e paraburgimit, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Postime të Ngjashme