Enj. Tet 8th, 2026

ASH kërkon sqarime për vaksinat BCG: Shëndeti i fëmijëve nuk duhet të lihet në pikëpyetje

Aleanca për Shqiptarët ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe VLEN që të japin sqarime të plota lidhur me përdorimin e disa loteve të vaksinës BCG në Maqedoninë e Veriut.

Sipas ASH-së, bëhet fjalë për dy lote të vaksinës BCG të prodhuesit bullgar, për të cilat në Kroaci janë ngritur dyshime pas shfaqjes së osteomielitit te katër fëmijë. Aleanca thotë se këto lote janë përdorur edhe në Maqedoninë e Veriut dhe se afati i tyre i përdorimit ka përfunduar në qershor të këtij viti.

Pas alarmit të ngritur në Kroaci, përdorimi i vaksinës së këtij prodhuesi është pezulluar, ndërsa imunizimi do të vazhdojë me vaksina të një prodhuesi japonez.

ASH kërkon të dihet se sa fëmijë në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar me dy lotet në fjalë dhe nëse ata janë monitoruar apo kontrolluar pas informacioneve të fundit.

Nga Aleanca vlerësojnë se deklaratat se deri tani nuk janë evidentuar efekte anësore nuk janë të mjaftueshme dhe kërkojnë që Ministria e Shëndetësisë të publikojë të dhëna për numrin e fëmijëve të vaksinuar, rezultatet e kontrolleve dhe analizave, si dhe masat e ndërmarra.

ASH ka kritikuar gjithashtu mënyrën e reagimit të institucioneve, duke kërkuar më shumë transparencë dhe përgjegjësi kur bëhet fjalë për shëndetin e të porsalindurve.

 

Postime të Ngjashme