Policia e Tiranës ka ndërmarrë masa të posaçme sigurie për derbin ndërmjet Partizanit dhe KF Tiranës, i cili do të zhvillohet sot, në orën 18:30, në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë ndeshjes, autoritetet kanë njoftuar bllokimin e disa akseve rrugore, si dhe kanë përcaktuar itineraret që do të ndjekin tifozët e të dyja skuadrave.
Rrugët që do të bllokohen
Nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit sportiv, qarkullimi do të ndërpritet në sheshin “Nënë Tereza”, rrugën “Lekë Dukagjini”, rrugën “Dervish Hima” dhe në zonat përreth stadiumit.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i shmangin këto segmente rrugore gjatë orarit të përcaktuar, për të lehtësuar qarkullimin dhe për të garantuar sigurinë.
Itineraret për tifozët e dy skuadrave
Tifozët e Partizanit do të nisen nga zona e Inxhinierisë, në rrugën “21 Dhjetori”, duke vazhduar te “Libri Universitar”, përgjatë zonës pranë Presidencës dhe në rrugën “Gjergj Filipi”, te “Coin”, për të mbërritur në tribunën N.
Ndërkaq, tifozët e KF Tiranës do të nisen nga sheshi “Skënderbej”, do të kalojnë te ish-Hoteli “Dajti” dhe Ura e Dajtit, për t’u kthyer më pas te ETC-ja. Itinerari vazhdon në rrugën e Elbasanit, në rrugën “Dervish Hima” dhe drejt rrugës “Sheh Ahmet Pazari”, pranë “Ambasador 3”, nga ku do të drejtohen te hyrjet V–S.
Forcat e rendit do të mbikëqyrin lëvizjen e tifozëve dhe nuk do të lejojnë grumbullime apo devijime nga itineraret e përcaktuara.
Kontrolle të rrepta në hyrje të stadiumit
Para hyrjes në stadium do të kryhen kontrolle të detajuara për të parandaluar futjen e sendeve të ndaluara, përfshirë sende të forta, shishe uji, çadra, çelësa metalikë dhe mjete piroteknike.
Çdo tifoz duhet të ketë me vete dokument identifikimi. Personat pa dokumente nuk do të lejohen të hyjnë në stadium.
Gjithashtu, fëmijët nën moshën 16-vjeçare nuk do të lejohen të hyjnë pa praninë e prindit ose kujdestarit ligjor, edhe nëse posedojnë biletë. Hyrja do t’u ndalohet edhe tifozëve të identifikuar më parë nga policia si problematikë në aktivitete sportive.
Policia u ka bërë thirrje të dyja tifozerive që t’i respektojnë masat e sigurisë, në mënyrë që derbi të zhvillohet pa incidente.

