Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka dënuar sulmin e kryer nga rebelët Huthi ndaj Aeroportit Ndërkombëtar “King Khalid” në Riad të Arabisë Saudite, ku mbetën të vrarë dhe të plagosur civilë.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Konjufca u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa të plagosurve u dëshiroi shërim të shpejtë.
Ai theksoi se Kosova qëndron pranë Arabisë Saudite në këtë moment të vështirë dhe riafirmoi mbështetjen e vendit për popullin e këtij shteti.
Konjufca e cilësoi sulmin si një veprim të rëndë që rrezikon jetën e civilëve, duke kërkuar ndërprerjen e sulmeve ndaj aviacionit civil.
“E dënoj fuqishëm sulmin shkatërrues të Huthëve ndaj Aeroportit Ndërkombëtar ‘King Khalid’ në Riad, i cili la civilë të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur. Sulme të tilla ndaj aviacionit civil përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e njerëzve dhe duhet të ndalen”, ka shkruar Konjufca.
Ai përcolli gjithashtu ngushëllimet për familjet që humbën të afërmit dhe uroi shërim sa më të shpejtë për të gjithë të plagosurit.

