Die. Tet 11th, 2026

Presidentët e Italisë dhe Kroacisë urojnë Justina Shiroka-Pulën, konfirmojnë mbështetjen për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pranuar mesazhe urimi nga presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, me rastin e marrjes së detyrës.

Presidenti italian, Sergio Mattarella, ka shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Italisë, duke riafirmuar mbështetjen e vendit të tij për Kosovën.

Në mesazhin drejtuar presidentes Shiroka-Pula, Mattarella ka theksuar rëndësinë e reformave të brendshme dhe përparimit të Kosovës drejt integrimit evropian. Ai ka rikujtuar gjithashtu angazhimin e Italisë në mbështetje të Kosovës përmes misionit paqeruajtës të KFOR-it, komandën e të cilit Italia pritet ta marrë sërish së shpejti.

“Shpresoj gjithashtu që, gjatë mandatit tuaj, Kosova të arrijë përparim konkret dhe të qëndrueshëm në reformat e brendshme të nevojshme për ta afruar vendin me familjen e përbashkët evropiane. Në këtë rrugëtim sfidues, Kosova do të mund të mbështetet në përkrahjen tonë”, thuhet në mesazhin e presidentit italian.

Ndërkaq, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shprehur përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe të stabilitetit në Evropën Juglindore.

Milanoviq ka konfirmuar se Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën drejt integrimit ndërkombëtar, me theks të veçantë në anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Kroacia do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe formatet e bashkëpunimit rajonal, me theks të veçantë në anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, thuhet në letrën e presidentit kroat.

Ai ka shprehur gjithashtu shpresën që së shpejti të zhvillojë një takim me presidenten Shiroka-Pula, me qëllim të shkëmbimit të pikëpamjeve për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve

Postime të Ngjashme