Përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë kanë marrë pjesë sot në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë mbledhur sërish pas kërkesës së radhës për vazhdimin e seancës konstituive.
Ndërkohë, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë paraqitur në sallë, ndërsa kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, nuk e ka thirrur vazhdimin e saj.
Kanë kaluar tashmë 20 ditë nga skadimi i afatit për konstituimin e kuvendit, ndërsa PDK-ja konsideron se moskonstituimi i institucionit më të lartë përfaqësues të vendit përbën vazhdim të shkeljes së rendit kushtetues.
PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar në vazhdimësi që Dehari ta thërrasë seancën dhe që deputetët të kthehen në kuvend për ta përfunduar procesin e konstituimit.
Për mosvazhdimin e seancës, PDK-ja dhe AAK-ja kanë dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj Avni Deharit, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prania e përfaqësuesve të Ambasadës amerikane në sallën e kuvendit vjen në një moment kur kriza institucionale po thellohet dhe kur, edhe 20 ditë pas kalimit të afatit kushtetues, Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i pakonstituuar.

