Avokati mbrojtës i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Laur Prenaj, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që ndaj të mbrojturit të tij të nxjerrë aktgjykim lirues në rastin e akuzës për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Në fjalën përfundimtare, Prenaj ka pretenduar se nuk është provuar se Sveçla ka përmbushur elementet e veprës penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa si argument kryesor ka ngritur mospërputhjen në identifikimin e provës së ekzaminuar.
“Ne konsiderojmë se në këtë çështje penale nuk është provuar de i mbrojturi im i ka përmbushur elementet e veprës penale përdorimi i armës për të cilën akuzohet. Së pari, se ekspertiza mbi të cilat mbështetet aktakuza e paraqet një mangësi thelbësore në vetë identifikimin e provës se ekzaminimi në ekspertiza, urdhërohet egzamini i provës se shënuar me E-16. thotw “Në lidhje me kërkesën e prokurorisë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të datës 18.10.2018, me të cilën është kërkuar nga specialistët e njësisë I E B D që të bëhet ekspertiza e dëshmisë E-16 e përshkruar në përmbajtjen e kartelës së teknikës kriminalistike”, tha ai.
Sipas mbrojtjes, prova E-16 nuk është mjeti që pretendohet se është përdorur nga Sveçla.
“Ndërsa po e shohim dëshmia E-16 është një sprej dore, e cila nuk i është gjetur të mbrojturit tim. Çka do të thotë se kjo ekspertizë nuk ka lidhje as juridike e as faktike me të mbrojturin tim, barra e provës i bjen prokurorisë. Një mospërputhje e tillë krijohen dyshime serioze lidhur me atë se cili objekt është ekzaminuar dhe rrjedhimisht se përfundimet e ekspertizës nuk mund t’i atribuohen mjetit që pretendohet se është përdorur nga i mbrojturi im”, tha ai.
Prenaj ka thënë se veprimi i Sveçlës, sipas mbrojtjes, kishte pasur qëllim politik dhe jo kriminal.
“Veprimi i tij ka pasur për qëllim pengimin e mbajtjes së një seance dhe ndalimin e një marrëveshjeje të dëmshme ndaj vendit. I propozojmë gjykatës që ndaj të mbrojturit tim të nxjerrë aktgjykim lirues”, tha ai.
Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, gjyqtari i rastit, Sabit Sadiku, njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 2 shtator, në orën 09:00.
Ndryshe, në këtë rast po akuzohen edhe Fitore Pacolli-Dalipi, Drita Millaku dhe Salih Zyba, mirëpo për Sveçlën procedura është veçuar.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 qershor 2024, ka konfirmuar aktakuzën ndaj Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të vitit 2018. Vendimin e Themelores më pas e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.
Në seancën fillestare, të mbajtur më 26 mars 2024, katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në kuvend.
Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër, në seancën fillestare, gjyqtari i rastit, Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
Sipas aktakuzës, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.
Aty thuhet se, si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e kuvendit, me ç’rast ishte pamundësuar vazhdimi i seancës.
Me këtë, secili veç e veç akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1, i kodit penal, për të cilën kryerësi dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Ndërkaq, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1, i kodit penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës në kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muajsh deri në tre vjet.

