Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ku temë kryesore ishte procesi i anëtarësimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Gjatë takimit u diskutua për finalizimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në SEPA dhe dorëzimin formal të tij te Këshilli Evropian i Pagesave (EPC), pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Sipas njoftimit, guvernatori Ismaili e informoi Kurtin se sektori financiar në vend është stabil dhe se Banka Qendrore e Kosovës ka qëndrueshmëri financiare.
Po ashtu, u diskutua për reformat që po zhvillohen në forcimin e mbikëqyrjes financiare, modernizimin e infrastrukturës dhe përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.
Një tjetër temë e takimit ishte zhvillimi i sistemit të pagesave të shpejta, TIPS Clone, i cili, krahas anëtarësimit në SEPA, pritet të ndikojë në uljen e kostove të transaksioneve dhe rritjen e efikasitetit të pagesave.
Në takim u theksua edhe rëndësia e koordinimit ndërinstitucional për zbatimin e reformave dhe përmbushjen e angazhimeve të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.
Në fund, Kurti dhe Ismaili shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në funksion të qëndrueshmërisë financiare, modernizimit të sektorit dhe avancimit të integrimit evropian, duke respektuar pavarësinë dhe mandatin e Bankës Qendrore të Kosovës.

