Analistët e pavarur vlerësojnë se demokratët kanë shanse të mira për të fituar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe ndoshta edhe të Senatit në zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit në SHBA. Një fitore e tillë do t’u jepte atyre një pjesë të pushtetit në Uashington, pas dy vitesh kontrolli republikan.
Demokratët argumentojnë se republikanët i kanë lejuar administratës së Presidentit Donald Trump të shpallë luftë dhe të kontrollojë shpenzimet, megjithëse Kushtetuta amerikane ia rezervon këto kompetenca ligjvënësve.
“Reuters” ka renditur 4 ndryshimet që mund të sjellë një Kongres i kontrolluar nga demokratët në Politikën e Jashtme të Trump
1. Të frenojnë luftën me Iranin
Trump nuk kërkoi miratimin e Kongresit përpara se të niste luftën me Iranin më 28 shkurt, ndërsa demokratët kanë votuar vazhdimisht për t’i dhënë fund luftimeve, nëse presidenti nuk merr më parë autorizimin e ligjvënësve. Një prej këtyre rezolutave u miratua me mbështetjen e një grupi të vogël republikanësh, por administrata Trump e shpërfilli atë.
Nëse marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve ose të Senatit, demokratët mund të shkurtojnë shpenzimet e mbrojtjes për të ushtruar presion ndaj Trumpit, në mënyrë që ai të marrë miratimin e Kongresit për vazhdimin e luftës. Ata mund të kërkojnë gjithashtu që zyrtarët e administratës të dëshmojnë publikisht për planet e tyre.
2.Mbështetje e re për Ukrainën
Trump ka ndërprerë në masë të madhe ndihmën e drejtpërdrejtë financiare dhe ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, pavarësisht mbështetjes së gjerë nga ligjvënës demokratë dhe republikanë për Kievin në luftën kundër pushtimit rus.
Së fundmi, ai ka zemëruar anëtarë të Kongresit, përfshirë shumë republikanë, duke hequr sanksionet ndaj naftës dizel ruse dhe duke pezulluar kufizimet ndaj sektorit energjetik rus, vetëm pak javë pasi i kishte miratuar ato në ligj.
Nëse fitojnë kontrollin e të dyja dhomave në nëntor, demokratët do të kenë mundësinë të përcaktojnë se cilat çështje do të hidhen në votim dhe kur.
Kjo mund t’u mundësojë atyre miratimin e një pakete të re ndihme për Ukrainën, e cila ka gjasa të sigurojë shumicën prej dy të tretash të nevojshme për të kapërcyer veton e Trumpit.
Ata mund të kundërshtojnë edhe nisma të tjera të presidentit. Për shembull, kongresmeni Gregory Meeks nga Nju-Jorku, i cili mund të marrë drejtimin e Komitetit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve nëse demokratët fitojnë kontrollin, ka paraqitur një projektligj dypartiak për të bllokuar planin e Trumpit për rikthimin e naftës dizel ruse në tregun global.
3.T’i japin fund ndihmës ushtarake për Izraelin
Mbështetja për Izraelin ka rënë ndjeshëm mes demokratëve për shkak të mënyrës se si ky vend ka zhvilluar luftën në Gaza, ku janë vrarë dhjetëra mijëra civilë palestinezë. Faktorë të tjerë kanë qenë dhuna e vazhdueshme në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe aleanca e ngushtë e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu me republikanët.
Demokratët mund të kufizojnë ose t’i japin fund ndihmës ushtarake për Izraelin, e cila arriti në 3.8 miliardë dollarë në vitin e fundit fiskal. Kjo është një shumë më e madhe se ndihma e dhënë për çdo vend tjetër.
Gati gjysma e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve votuan këtë verë për ndërprerjen e ndihmës për Izraelin. Disa prej atyre që votuan kundër kësaj nisme, si Meeks, kanë mbështetur kufizime për furnizimin e Izraelit me armë të caktuara, si bombat e rënda.
4.Të kufizojnë shpenzimet ushtarake dhe të rikthejnë ndihmën e huaj
Demokratët kanë më shumë gjasa se republikanët e Trumpit të mbështesin kufizimin e shpenzimeve ushtarake.
Trump kërkoi këtë vit një rritje të paprecedentë prej 67% të buxhetit ushtarak, duke e çuar atë në 1.5 trilionë dollarë. Por demokratët e bllokuan këtë kërkesë në Senat, duke përmendur refuzimin e presidentit për t’u konsultuar me Kongresin lidhur me luftën në Iran, si dhe shkurtimet e mëdha të programeve sociale.
Trump ka bllokuar ose anuluar gjithashtu miliarda dollarë ndihma të huaja të miratuara nga Kongresi. Shumë demokratë janë zemëruar nga këto shkurtime dhe thonë se do të përpiqen të rikthejnë financimin.

