Katërmbëdhjetë pjesëmarrës të lëvizjes studentore në Serbi dyshohet se janë përgjuar dhe spiunuar përmes softuerit Pegasus, raportoi mediumi serb “Danas”, transmeton KosovaPress.
Pretendimet u bënë publike gjatë konferencës së parë zyrtare për media të lëvizjes studentore, të mbajtur tw mwrkurwn në Beograd. Studentë nga universitete të ndryshme të Serbisë prezantuan të dhëna për atë që e cilësuan si mbikëqyrje të fshehtë të telefonave të tyre.
Sipas “Danas”, cak i mbikëqyrjes dyshohet se kanë qenë anëtarë më të ekspozuar të lëvizjes studentore, aktivistë dhe përfaqësues të opozitës. Në mesin e tyre thuhet se kishte edhe qytetarë të përfshirë në organizimin e zgjedhjeve të fundit lokale në dhjetë komuna.
Gjatë konferencës, studentët thanë se kanë identifikuar softuerin e përdorur për komprometimin e telefonave dhe qasjen në komunikimet e tyre.
Ela Zekoviq, në emër të studentëve, iu drejtua me një mesazh personave që, sipas tyre, qëndrojnë prapa mbikëqyrjes.
“E dimë çfarë po bëni, ju kapëm dhe nuk do t’ju kalojë. Spiunuat njerëz që ruanin votat, u futët në bisedat e tyre me familjen, në fotografitë e tyre, në të gjithë jetën e tyre private, të bindur se askush nuk do ta zbulonte kurrë. Ne e zbuluam. E provuam”, deklaroi Zekoviq.
Ajo tha se bëhet fjalë për një mjet që kushton miliona euro dhe që është krijuar për të funksionuar pa u zbuluar.
“Një mjet që kushton miliona euro, i krijuar për të qenë i padukshëm, sot është para syve të të gjithë publikut. Jemi të përgatitur për mundësinë që frikësimi të shkojë edhe më tej”, shtoi ajo.
Studentët i dërguan gjithashtu një mesazh presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e lidhur çështjen edhe me zgjedhjet e ardhshme.
“A do të jetë presidenti në Serbi ditën e zgjedhjeve, sepse gjatë gjithë ditëve të fushatës do të jetë i sigurt për një fakt, dhe ai është se studentët po fitojnë”, tha Zekoviq.
Ajo theksoi se pretendimet për përgjim nuk do ta zmbrapsin lëvizjen studentore.
“Nuk na kanë lëvizur as edhe një milimetër. Jemi edhe më të motivuar se dje. Më i mençuri nuk dorëzohet, më i mençuri organizohet. Më i mençuri nuk përgjigjet me kërcënime; më i mençuri dokumenton, dëshmon dhe publikon”, deklaroi Zekoviq.
Në fund, studentët thanë se janë të gatshëm për zgjedhje.

