Die. Gus 30th, 2026

Prindërit ‘vërshojnë’ libraritë, subvencionet për libra nuk u mjaftojnë të gjithëve

Vetëm edhe dy ditë kanë mbetur deri në nisjen e vitit të ri shkollor, ndërsa prindërit në Prishtinë kanë vërshuar libraritë për t’i siguruar tekstet shkollore për fëmijët e tyre.

Në libraritë e kryeqytetit janë parë radhë të qytetarëve që po blejnë tekstet shkollore, ndërsa vonesa në ekzekutimin e mjeteve dhe publikimin e çmimeve finale ka bërë që një pjesë e prindërve blerjet t’i kryejnë vetëm në ditët e fundit.

Këtë vit, ndryshe nga vitet kur procesi përfshinte edhe materiale të tjera shkollore, Ministria e Arsimit ka përcaktuar subvencionimin sipas klasave për tekstet shkollore, me shuma nga 60 deri në 100 euro.

Për disa prindër, shuma e subvencionimit ka qenë e mjaftueshme për blerjen e librave, por jo edhe për fletoret dhe materialet e tjera mësimore.

Lulzim Fazliu, prind, ka thënë se shuma e marrë i ka mjaftuar për librat, ndërsa fletoret dhe materialet e tjera duhet t’i blejë me mjete vetanake.

Por, jo të gjithë prindërit kanë vlerësuar se shuma e ndarë mjafton për të mbuluar shpenzimet edhe vetëm të librave

Prindi Ahmet Hoxha ka deklaruar se, sipas kalkulimeve të tij, subvencionimi nuk i mbulon të gjitha shpenzimet për fillimin e vitit shkollor.

Hoxha tha se mjetet e subvencionimit ende nuk i kanë dalë.

Ndërkohë, një tjetër prind, Mirlinda Bytyqi, ka treguar se mjetet i kanë dalë një ditë më parë dhe se i kanë mjaftuar për blerjen e teksteve për fëmijët e saj.

Për prindërit që tekstet i kanë blerë para publikimit të katalogut zyrtar dhe ndryshimit të çmimeve, libraria “Dukagjini” ka paralajmëruar rimbursim të diferencës.

Koordinatori i kësaj librarie, Elvin Blakaj, ka thënë se është vendosur që prindërve t’u kthehet diferenca e çmimit për librat që janë blerë para përcaktimit të çmimeve finale.

“Si librari, në bashkëpunim me ta, kemi vendosur që çmimet që janë shtesë ndaj çmimeve që janë vendosur nga MASHT-i të rimbursohen. Për këtë kemi vendosur që ta bëjmë pas datës 15, për shkak të fluksit të prindërve që dëshirojnë t’i blejnë librat. Për prindërit që e kanë bërë blerjen në cilëndo prej pikave tona prej datës 24 e deri te ndryshimi i çmimeve, vetëm i sugjerojmë të ruajnë kuponat fiskalë dhe pas datës 15 mund ta bëjnë rimbursimin pa asnjë problem”, tha ai.

Sipas Blakajt, ndryshimi i çmimeve në një periudhë të shkurtër nuk ka paraqitur probleme për librarinë “Dukagjini”, pasi përditësimi i çmimeve është bërë brenda ditës.

Ai ka shtuar se ditët në vijim pritet të jenë të ngarkuara, por se libraria është përgatitur për fluksin e madh të prindërve.

Megjithatë, mënyra e subvencionimit vazhdon të jetë një prej çështjeve për të cilat prindërit kanë shprehur pakënaqësi.

Përfaqësuesi i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha, ka thënë se, ndonëse këtë vit nuk kanë pranuar ankesa për procedurën e aplikimit në e-Kosova, prindërit vazhdojnë të kërkojnë rikthimin e metodës së mëparshme, kur tekstet siguroheshin dhe shpërndaheshin drejtpërdrejt nga Ministria e Arsimit nëpër shkolla.

Sipas Dragushës, një prej problemeve kryesore të kësaj metode ka qenë vonesa në daljen e mjeteve. Ai ka kujtuar se vitin e kaluar kishte raste kur nxënësit nuk i kishin tekstet shkollore deri në mes të tetorit.

Ai ka bërë të ditur se këtë çështje e ka diskutuar edhe me Ministrinë e Arsimit, duke kërkuar ndryshimin e metodologjisë.

Sipas tij, është premtuar se mundësia e ndryshimit do të shqyrtohet për vitin e ardhshëm, por ende nuk ka vendim përfundimtar.

MASh ka bërë të ditur më 28 gusht se ka miratuar Katalogun e Teksteve Shkollore dhe se mjetet janë ekzekutuar në llogaritë e prindërve përfitues për nxënësit e klasave 1 deri në 9.

Në njoftim thuhet se vlera e subvencionimit për prind/nxënës për tekstet shkollore në gjuhën shqipe sipas klasave është: Klasat 1 dhe 2 – 60 euro; Klasa 3 – 65 euro; Klasa 4 – 70 euro; Klasa 5 – 80 euro; Klasat 6 dhe 7 – 90 euro; Klasat 8 dhe 9 – 100 euro.

Postime të Ngjashme