Në Bernë u mbajtën konsultimet politike ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës.
Konsultimet u kryesuan nga Sekretari i Përgjithshëm i MPJD-së, z. Ilir Muçaj, dhe Ndihmëssekretari i Shtetit i Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, z. Pierre-Yves Fux.
Pjesë e delegacionit të Republikës së Kosovës ishin edhe z. Mentor Latifi, Ambasador i Republikës së Kosovës në Zvicër; z. Valdrin Grainca, U.D. Udhëheqës i Divizionit për Evropë dhe Bashkimin Evropian; znj. Fatmire Musliu, Zyrtare e Lartë; dhe z. Gjenis Haxhimehmeti, Sekretar i Dytë.
Gjatë konsultimeve u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe institucional. Vëmendje iu kushtua vazhdimësisë së dialogut politik, shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë dhe bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Sekretari i Përgjithshëm Muçaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për zhvillimin dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, si dhe për kontributin e saj në ruajtjen e sigurisë përmes angazhimit në KFOR.
Në fushën ekonomike u trajtuan mundësitë për rritjen e investimeve zvicerane në Kosovë, zgjerimin e shkëmbimeve tregtare dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve. Në këtë kuadër, u nënvizua rëndësia e hyrjes në fuqi, më 1 tetor 2026, të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve anëtare të EFTA-s, përfshirë Zvicrën, si një mundësi e rëndësishme për thellimin e marrëdhënieve ekonomike. U diskutua gjithashtu për bashkëpunimin zhvillimor dhe projektet që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe institucional të Kosovës.
Vëmendje e veçantë iu kushtua diasporës së Kosovës në Zvicër, kontributit të saj në të dyja vendet dhe rolit që luan në forcimin e lidhjeve shoqërore, ekonomike dhe kulturore ndërmjet tyre.
Delegacionet shkëmbyen pikëpamje për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, sigurinë rajonale dhe perspektivën evropiane të Kosovës. Në rrafshin shumëpalësh, u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, dhe mundësitë për bashkërendim të mëtejshëm me Zvicrën.
Pala kosovare shprehu gatishmërinë për vijimin e konsultimeve të rregullta dhe ndjekjen e çështjeve të trajtuara, me qëllim avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

