Ministria e Mbrojtjes ka hapur procedurën e prokurimit për ndërtimin e një objekti për mbrojtje kibernetike në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Prishtinë.
Projekti parasheh ndërtimin e objektit me qëllim të rritjes së operacionalitetit dhe efikasitetit në kryerjen e detyrave, në përputhje me misionin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Sipas dokumentacionit të tenderit, kompania që do ta fitojë kontratën duhet të dëshmojë kapacitet financiar dhe teknik, përfshirë qarkullim prej së paku 2.05 milionë eurosh gjatë tri viteve të fundit dhe përvojë në realizimin e projekteve të ngjashme.
Afati për dorëzimin e ofertave është 18 dhjetor 2026, deri në orën 14:00, ndërsa kohëzgjatja e paraparë për realizimin e kontratës është nga 29 dhjetori 2026 deri më 30 tetor 2028.
Kontrata do t’i jepet operatorit ekonomik që ofron çmimin më të ulët dhe që i plotëson kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit.

