“Marrëdhëniet dypalëshe, procesi i integrimit evropian të Maqedonisë, mosbesimi midis dy palëve dhe nevoja për ta kapërcyer atë përmes dialogut, si dhe Plani i Veprimit për Minoritetet, ishin disa nga temat që diskutuan në Sofje ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski dhe homologia e tij bullgare Velislava Petrova Çamova, në një takim në margjinat e Takimit Ministror në Sofje.
Mucunski, pas takimit me Petrova Çamova, pati edhe një takim të veçantë me Komisioneren Evropiane për Zgjerim Marta Kos.
Në një deklaratë për mediat pas dy takimeve, ai vlerësoi se ai dhe Petrova patën biseda konstruktive, takimi u zhvillua në një frymë pozitive, megjithëse, siç theksoi ai, qëndrimet e dy vendeve për çështjet thelbësore janë ende të largëta, dhe u ra dakord që dialogu të vazhdojë për të gjitha çështjet me interes të përbashkët.
“Qëndrimet e Maqedonisë dhe Bullgarisë në lidhje me çështjet që lidhen me integrimin evropian janë ende shumë të largëta, por takimi i sotëm me ministren e jashtme bullgare Velislava Petrova Çamova ishte konstruktiv dhe u zhvillua në një frymë pozitive, dhe u ra dakord që dialogu midis dy vendeve të vazhdojë për të gjitha çështjet me interes të përbashkët”, tha Mucunski në Sofje.
Ai vlerësoi se ekziston një shkallë e lartë mosbesimi midis dy palëve në lidhje me procesin e integrimit evropian të Maqedonisë, mbi të gjitha, në aspektin e parashikueshmërisë së tij.
“Takimi i sotëm ishte konstruktiv, sipas mendimit tim, në një frymë pozitive. Gjithashtu duhet të jem absolutisht transparent dhe i qartë, nuk është se kemi zgjidhur ndonjë çështje thelbësore, qëndrimet janë ende shumë të largëta, nuk ka dilemë për këtë, por biseduam në një frymë pozitive për zhvillimin e një dialogu në periudhën e ardhshme midis dy vendeve dhe se dialogu padyshim do të vazhdojë”, tha Mucunski.

