Hën. Gus 31st, 2026

Presidenti konsensual, deputeti i Vetëvendosjes: Duhet garanci për votat e LDK-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se në rast të dakordimit për kandidatin për president, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duhet të sigurojë zbatimin e marrëveshjes nga Grupi Parlamentar i kësaj partie.

Rrustemi, në emisionin “Intervista e javës” në KosovaPress, tha se LVV-ja nuk mund të flasë për sjelljen individuale të deputetëve të LDK-së, por përgjegjësia për menaxhimin e tyre i takon Abdixhikut.

“Ky është një dimension i rëndësishëm, që është e vërteta, për shkak edhe të zhvillimeve të brendshme në LDK, por unë nuk mund të flas, le të themi, për sjelljen individuale të deputetëve të LDK-së. Zoti Abdixhiku e përfaqëson LDK-në, zoti Kurti e përfaqëson Vetëvendosjen. As nuk i kemi kërkuar, që është e vërteta, sepse ne e trajtojmë formalisht si kryetar të LDK-së. I mbetet zotit Abdixhiku ta menaxhojë grupin e tij parlamentar dhe, në momentin kur dakordohet për emrin, e bëjmë marrëveshje, të garantojë, le të themi, edhe implementimin e kësaj marrëveshjeje nga pozicioni i LDK-së”, theksoi Rrustemi.

Të shtunën u takuan sërish kryetari i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me Abdixhikun, por nuk arritën marrëveshje për emrin e kandidatit për president.

Në takimet paraprake është thënë se janë propozuar emra konkretë për president.

E Rrustemi tha se bërja publike e emrave të propozuar për president e dëmton procesin e dakordimit për të parin e vendit.

“Për shkak të, le të themi, ruajtjes së integritetit të vetë figurave, se në fund të fundit njëri prej tyre mund të jetë propozim konsensual. E pashmangshme që mund të sillen emra të ndryshëm. Nuk e di në kuptimin e numrit të propozimeve, por ka pasur propozime edhe nga Lëvizja, edhe nga LDK-ja, në përputhje me ato kritere që janë vendosur në takimin paraprak, që të jetë një figurë konsensuale, jashtëpartiake, mbi palët, që nuk është pjesë e polemikave ditore në skenën politike, dhe natyrisht të ecim tutje… Nuk kam informacione dhe, natyrisht, rezervohem të flas për emra. Nuk kam dëgjuar, e kam parë në mediat e fundit, por po e përsëris, procesi është i ndjeshëm… Brenda grupit do të diskutohen eventualisht kur ka konsensualitet, le të themi, kur ka një lloj përafrimi edhe dakordimi në mes të palëve”, theksoi Rrustemi.

Duke folur për propozimin e Faton Bislimit për president nga ish-ambasadori william Ëalker dhe ish-kongresisti amerikan Joe DioGuardi, Rrustemi vlerëson rolin e Bislimit në raportet e Kosovës me SHBA-në, por nuk tregon nëse emri i tij është diskutuar në takimet Kurti-Abdixhiku.

“Nuk kam informacione a është diskutuar apo jo. E kam parë lajmin edhe letrën e zotit Ëalker. Besoj në funksion të, le të themi, të kontributit të tij për të përafruar palët. E njoh nga distanca, domethënë, zotin Bislimi edhe si figurë politike e LDK-së, ish-deputet, por edhe si një aktivist, le të themi, politik përtej partive politike, sidomos në raportet e Kosovës dhe të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë aspekt e kam përcjellë më shumë në aktivitetin lobues të tij, por nuk mund të… Po, çështja mund të kem qëndrim subjektiv, domethënë. Po e përsëris, diskutimi për emra, për sa kohë që nuk ka një lloj pajtueshmërie të palëve dhe, le të themi, pozicionimi i njëanshëm e dëmton procesin”, deklaroi ai.

Ai tregoi kur do të thirret vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit.

Deputeti i LVV-së tha se qëndrimi politik i partisë së tij është që Kuvendi të mos konstituohet pa u arritur një marrëveshje për presidentin.

Sipas tij, konstituimi i Kuvendit dhe nisja e afatit 60-ditor do të krijonte presion shtesë mbi partitë politike dhe do ta vështirësonte arritjen e një marrëveshjeje.

Mosthirrja e seancës konstituive ka bërë që PDK-ja dhe Aleanca të ndërmarrin aksione dhe aktivitete politike për të kërkuar funksionalizimin e Kuvendit.

Duke folur për përplasjen në Kuvend me deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtaku, Rrustemi tha se nuk ka pasur kontakt apo komunikim me të, por pretendoi se Lushtaku kishte tentuar fizikisht ta pengonte gjatë deklarimit para mediave në Kuvend.

Rrustemi foli edhe për vendimmarrjen e Gjykatës Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku shtoi se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare, ndërsa shprehu shpresën për lirimin e ish-krerëve të saj që po gjykohen në Hagë.

Sa i përket marshit të paralajmëruar për 12 shtator në mbështetje të krerëve të UÇK-së, Rrustemi tha se nuk sheh arsye që përfaqësues të Vetëvendosjes të mos marrin pjesë në këtë aktivitet.

Postime të Ngjashme