Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit zhvilloi sot mbledhjen e parë pas Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore. Nën drejtimin e Presidentit Armand Duka, Komiteti zgjodhi Zëvendës Presidentë për katërvjeçarin e ardhshëm, Lufti Nuriun dhe Geri Çipin.
Gjithashtu, FSHF do të prezantojë së shpejti fanellat e reja të Kombëtares A. Kuqezinjtë do të zbresin në fushë me fanellat e reja në ndeshjen historike të Play-Off-it ndaj Polonisë.
Komiteti Ekzekutiv miratoi realizimin e një fushate promovuese që do të shoqërojë këtë moment me rëndësi sportive dhe emocionuese. Aktiviteti parashikon realizimin e një spoti televiziv, i shoqëruar me promovim në rrjetet sociale dhe kanale të tjera, me qëllim rritjen e ekspozimit të Kombëtares dhe përforcimin e lidhjes me tifozët.
Po ashtu, Komiteti Ekzekutiv miratoi organizimin e një Fan Zone në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, në kuadër të ndeshjes Play-Off për Kupën e Botës mes Polonisë dhe Shqipërisë më 26 mars 2026. Fan Zone do të ofrojë transmetim live të ndeshjes, muzikë live me këngëtar dhe DJ, aktivizime promocionale, pije për tifozët, etj.

