Në Prizren është hapur ekspozita me fotografi të xhamive të shkatërruara gjatë luftës në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, e cila dokumenton shkatërrimin e objekteve fetare islame gjatë viteve ’90-ta.
Ekspozita sjell dëshmi vizuale të shkatërrimeve të planifikuara, duke pasqyruar një politikë sistematike të zhdukjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore në rajon.
Iniciatorët e kësaj ekspozite theksuan se në të paraqitet shkatërrimi i planifikuar i xhamive, i realizuar përmes metodave fashiste, me qëllim zhdukjen e identitetit fetar dhe kulturor të dy popujve.
“Këtë ekspozitë nëse e shohim me qetësi, secili prej nesh mund ta kuptojë agresionin, qëllimin fashist, mjetet dhe metodat e përdorura që synonin një Kosovë pa shqiptarë dhe një Bosnje pa boshnjakë. Është obligim yni që të kuptojmë nëpër periudhat që kemi kaluar, e që jemi përballur me gjenocid dhe shkatërrim të objekteve fetare Islame, vetëm se i përkisnim një feje dhe etnie tjetër”, tha Ramadan Shkodra, drejtor për Shtyp dhe Veprimtari Botuese në Bashkësinë Islame të Kosovës.
Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, njëherësh edhe autor i fotografive të xhamive të shkatërruara në Kosovë, prof. Sabri Bajgora, në fjalën e tij tha se: “Me këtë ekspozitë duam të trokasim në ndërgjegjen e gjithë botës dhe përmes saj t’ua rikujtojmë të rinjve tanë se çfarë të kaluar të dhimbshme kemi pasur, dhe çfarë fqinji agresiv dhe gjenocidial kemi pasur ne shqiptarët dhe boshnjaket”.
Kryeimami i Bashkësisë Islame në Prizren, Orhan ef. Bismimaj, tha se kjo ekspozitë dokumenton shovinizmin serb ndaj Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, duke dëshmuar përmasat e agresionit ndaj objekteve të kultit.
Edhe nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, u shpreh se përmes fotografisë kjo ekspozitë sjell një dëshmi të qartë të politikës së pushtuesit të asaj kohe.
Ndërkohë, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilja Rexhepi, tha se ruajtja e kujtesës historike është e domosdoshme dhe se organizime të tilla nuk bëhen në shenjë hakmarrjeje, por për t’u treguar gjeneratave të reja se çfarë ka ndodhur.
Ekspozita, e organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe Bashkësia Islame e Bosnje e Hercegovinës, do të qëndrojë e hapur për publikun në Prizren deri më 7 shkurt, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se ajo do të hapet edhe në qytete të tjera.

