Mar. Shk 10th, 2026

Drejtori për Diasporë mori pjesë në manifestimin madhështor të Xhamisë “Diaspora” në Osnabrück të Gjermanisë

Drejtori për Diasporë, Ekrem ef. Simnica, së bashku me imamin Fadil ef. Musliu, morën pjesë në manifestimin madhështor të organizuar nga Xhamia “Diaspora” në Osnabrück të Gjermanisë.
Në këtë manifestim morën pjesë një numër i madh imamësh që veprojnë në Gjermani dhe Zvicër, Kryetari i Unionit të Qendrave Islame Shqiptare në Gjermani (UQISHGJ), Mensur ef. Halili, imamë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dhe një numër i madh besimtarësh.
Fjalë përshëndetëse në hapje të manifestimit mbajtën imami i Xhamisë “Diaspora”, Hakuran ef. Helshani, si dhe kryetari i xhamisë, Shpejtim Berisha. Me këtë rast, kryetari Berisha foli për historikun e xhamisë, duke theksuar se Xhamia “Diaspora” është themeluar në vitin 2019, ndërsa së fundmi është blerë një parcelë prej 30 ari truall, ku tashmë ka filluar ndërtimi i objektit të ri të xhamisë. Objekti i ri do të ketë një sipërfaqe prej 2.400 metrash katrorë dhe katër minare, duke ofruar hapësira më të mëdha dhe më funksionale për nevojat e xhematit.
Drejtori për Diasporë, Ekrem ef. Simnica, përcolli urimet në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, organeve dhe institucioneve udhëheqëse të saj, si dhe në emër të Myftiut Naim ef. Tërnava, për organizimin e manifestimit, blerjen e parcelës dhe fillimin e ndërtimit të Xhamisë “Diaspora” në Osnabrück.
Në fjalën e tij, ai theksoi rëndësinë e xhamisë në diasporë si vend adhurimi, edukimi dhe lidhjeje shpirtërore. Drejtori për Diasporë nënvizoi se xhamia është shtëpia e besimit, vendi ku ruhen vlerat fetare, morali dhe identiteti fetar e kombëtar i besimtarëve, veçanërisht në kushtet e mërgimit dhe sfidave të largësisë nga atdheu. Në përfundim, ai bëri thirrje për respekt, unitet dhe ruajtjen e xhamisë si amanet hyjnor.
Manifestimi, i moderuar nga imami Usame Alimi, u karakterizua nga pjesëmarrje e gjerë dhe solidaritet i madh, duke rezultuar me mbledhjen e gjithsej 424.292 eurove brenda një nate.
Në fund të manifestimit, Drejtori për Diasporë, Ekrem ef. Simnica, ndau mirënjohje për imamin Hakuran ef. Helshani, si dhe për Xhaminë shqiptare “Diaspora”.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *