Enj. Sht 10th, 2026

Zjarri i lirisë ndizet në Gjilan, veteranët bëjnë thirrje për pjesëmarrje në Marshin e Lirisë

Në Kodrën e Dëshmorëve në Gjilan sonte është ndezur Zjarri i Lirisë, në natën përmbyllëse të aktivitetit “7 Zjarret në 7 Zonat Operative të UÇK-së”, e organizuar nga platforma Liria Ka Emër.

Në këtë ngjarje janë bërë bashkë veteranë të UÇK-së, familjarë të dëshmorëve, invalidë të luftës, qytetarë, përfaqësues të partive politike, klubeve sportive dhe bashkësive fetare, ndërsa organizatorët e kanë cilësuar ndezjen e zjarrit si simbol të rezistencës, sakrificës dhe lirisë së Kosovës.

Komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Isuf Ahmeti, tha se historia e Kosovës është shkruar me gjakun e bijve dhe bijave të saj, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të jenë pjesë e aktiviteteve të paralajmëruara në ditët në vijim.
“Dhe kthimi i tyre është përkushtim i lirisë së Kosovës, i pavarësisë dhe i shtetit të Republikës së Kosovës. Gjithë duhet ta kuptojnë se historia jonë është ajo që ka ndodhur në Kosovë dhe nuk ka nevojë askush me e rishkruar sepse e kanë shkruar bijtë e bijat e këtij popullit me gjak, me plagët e tyre dhe me angazhimin e popullit tonë për liri e pavarësi. Kthimi i tyre është fitore për Kosovën, prandaj e presim me 16 shtator kthimin triumfues ashtu siç janë kthyer nga beteja”, tha ai.

Ish-luftëtarja e UÇK-së, Shqipe Selimi, tha se ndezja e zjarreve simbolizon vazhdimësinë e luftës për liri dhe pastërtinë e luftës së UÇK-së.

“Dhe nuk mund të quhet asesi ndryshe nga asnjë gjykatë dhe nga asnjë popull tjetër përveçse t’ia dëshmosh që jemi këtu. Këta bashkëluftëtarë që e kanë dhënë jetën për këtë liri, kushdo që dyshon në luftën e pastër, të gjakut të derdhur të tyre, atëherë gjaku i tyre, toka nuk do t’i mbajë ata njerëz që mendojnë se lufta jonë ka pasur qëllim tjetër. Prandaj me 16 shtator ne presim vendim lirues për të gjithë bashkëluftëtarët tanë e të gjithë i presim faqe bardhë në Kosovë për arsye se ajo prokurori e ajo gjykatë nuk ka arritur të dëshmojë asnjë nga pretendimet e veta që kanë thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe krerët që i kemi atje kanë bërë krim kundër njerëzimit ose për përgjegjësi komanduese ose të gjitha ato akuza që ata i kanë shpallur atje”, tha ajo.
Organizatori i aktivitetit, njëkohësisht familjar i veteranëve të Kosoves, Ilir Tahiri, tha se veteranët dhe familjet e dëshmorëve duhet të jenë të bashkuar në mbështetje të vlerave të luftës dhe të shtetndërtimit.

“Të dëshmojmë se kemi ditur ta bëjmë luftën, dimë ta bëjmë paqen, pavarësisht se disa prej nesh vetëranët dhe disa familje emblematike janë për interesa të caktuara ditët e kaluara ditën ta kthejmë mprak, ikën siç thotë populli, por më mirë vonë se kurrë. T’i marrim të gjithë për dore dhe të ecim përpara”, tha ai.

Ish-deputeti Ismajl Kurteshi tha se gjykimi për luftën e UÇK-së duhet të mbështetet në fakte dhe jo në pretendime.
“Por asnjëherë nuk janë marrë me popullatën civile siç janë marrë strukturat e sigurisë së Serbisë edhe gjatë luftës edhe 100 vite më parë. Prandaj, të gjithë ata që sot gjykojnë në emër të drejtësisë, gjykimi duhet të bëhet në emër të fakteve. E fakte për t’i dënuar çlirimtarët nuk ka, përveç të thashethemeve, përveç të gënjeshtrave, përveç të gjërave të cilat Serbia i ka sajuar dhe i ka shpërndarë te bashkëpunëtorët e tyre, por natyrisht mbase edhe mjeteve të mëdha materiale që ka shpërndarë te strukturat e caktuara që të merren me çlirimtarët tanë”, tha ai.
Ndërsa veterane e luftës Malekie Imeri u bëri thirrje qytetarëve që t’u bashkohen aktiviteteve të paralajmëruara në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

“Shpresoj të jemi edhe të shtunën me 12 shtator të gjithë bashkë, të bëjmë pak për ata, sepse ata kanë bërë shumë për neve. Prandaj ajo që më së paku mund të bëjmë për ata është të mblidhemi të gjithë bashkë dhe me 12 shtator të shkojmë në Prishtinë të marshojmë për krerët tanë, të cilët nuk… nuk lanë asgjë pa bërë për vendin tonë, për lirinë që ne sot gëzojmë. Gjithashtu shpresoj që me 19 shtator të festojmë të gjithë bashkë për lirimin e krerëve tanë”, tha ajo.
Mjeku dhe pjesëmarrësi në luftë, Fatmir Korushtica, kujtoi kontributin e punëtorëve shëndetësorë gjatë luftës së UÇK-së, duke thënë se ata iu përgjigjën pa hezitim nevojës për të ndihmuar në zonat e luftës.

“Unë do të thosha dy fjalë në cilësinë e punëtorëve shëndetësorë që kemi marrë pjesë në luftën e Çukës. Dhe ndihem shumë krenar se më ka ra rasti me qenë organizatori i atyre aktiviteteve që punëtorët shëndetësorë, mjekët, teknikët edhe të gjithë punëtorët shëndetësorë të rajonit tonë kur ka pasë nevojë me i ftuar me kontribu, asnjë pa hezitim, nuk kuhamend edhe e ka ofruar shërbimin e vet veç ka thënë: tregoni kur ka nevojë edhe kena me shku me luftuar. Ne duhet t’i respektojmë këto vlera” tha ai.

Aktivisti Shaqir Shaqiri foli për rrugën e gjatë të shqiptarëve drejt bashkimit dhe lirisë, duke kujtuar sakrificat që i paraprinë krijimit dhe luftës së UÇK-së.
“Ne u rritëm që të bëhemi bashkë. Nuk patëm kufi. Nuk ishim Luginë, pas Iliridë nuk ishim. Kishim veç se vetëm shqiptarë të ndarë që na kishin ndarë pushtuesit. Por ne u bashkuam. Na bashkoi Kosova, na bashkoi Ilirida. Ne ecëm, u rrëzuam, u ngritëm, u përgjakëm, u burgosëm, përsëri u bëmë bashkë. Përsëri e krijuam edhe UÇK-në. Me mund, me sakrificë, me gjak. Sepse e dojim lirinë. Lirinë e dojim më shumë se jetën tonë. Lufta që e bëmë ne Ushtrinë që e organizuam, luftën që e bëmë nuk e bëmë për me për me për me dalë dhe me rrahë gjoksin me thënë unë kam qenë unë dikush a e dini unë çka kam bërë.” , tha ai.

Në kuadër të aktiviteteve të platformës “Liria ka Emër”, është paralajmëruar edhe Marshi i Lirisë më 12 shtator në Prishtinë.

Postime të Ngjashme