Enj. Sht 10th, 2026

SPAK kap disa të dyshuar të tjerë në skemën e mashtrimit të shtetasve të huaj online

Prokuroria e Posaçme në Shqipëri e ka goditur një grup të dyshuar për mashtrimin e mijëra shtetasve gjermanë dhe qytetarëve të tjerë evropianë përmes investimeve fiktive online.

Pas një hetimi të dalë nga një çështje penale e nisur më 2021 në bashkëpunim me Prokurorinë e Bambergut në Gjermani, të enjten SPAK njoftoi se ka identifikuar 11 persona të tjerë të dyshuar si pjesë e një skeme mashtrimi ndaj qytetarëve evropianë.

Ndaj tetë të dyshuarve janë vendosur masa të sigurisë, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim, njoftoi SPAK.

Sipas SPAK, skema u ka shkaktuar qytetarëve evropianë një dëm prej rreth 7 milionë eurosh.

Sipas njoftimit të SPAK, tre persona janë vendosur në paraburgim, tre në arrest shtëpiak dhe dy të tjerë me detyrohen për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.

Ata dyshohen për mashtrim kompjuterik në bashkëpunim, si një grup i strukturuar kriminal, si dhe për vepra të tjera penale që lidhen me krijimin dhe veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK, agjentët kontaktonin shtetas gjermanë dhe persona të tjerë evropianë dhe i bindnin të investonin në tregjet ndërkombëtare përmes platformave të dyshuara si mashtruese, raporon REL.

Paratë depozitoheshin në llogari bankare në vende të ndryshme, mes tyre Bullgari, Lituani, Poloni dhe Qipro, dhe më pas transferoheshin në mënyrë të njëpasnjëshme nga një llogari në tjetrën ose konvertoheshin në kriptovaluta.

Hetimi ka evidentuar gjithashtu përdorimin e dy adresave IP në Shqipëri, të lidhura me aktivitetin e “Bluenergycall”.

Sipas SPAK, analiza e të dhënave elektronike, e kombinuar me prova të tjera materiale, ka bërë të mundur identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si pjesë e grupit.

Ata u kapën disa vjet pasi prokuroria dërgoi për gjykim pronarin, dhe specialistin e IT-së të qendrës së thirrjeve “Bluenergycall”, të cilët u dënuan me rreth 13 vjet burgim dhe iu konfiskuan pasuritë me vlerë rreth 2.3 milionë euro.

Në raportin e vitit 2025, SPAK theksoi se krimi kibernetik mbetet një shqetësim në rritje për autoritetet shqiptare.

Prokuroria e Posaçme e rendit atë ndër tregjet kryesore ku operojnë grupet kriminale shqiptare, krahas trafikut të drogës dhe kontrabandimit të qenieve njerëzore.

Postime të Ngjashme