Hën. Tet 19th, 2026

Vjedhje spektakolare në muzeun e Vjenës, grabitet gjerdani me 673 diamante i mbretëreshës Nazli

Një gjerdan i çmuar me qindra diamante, që dikur i përkiste mbretëreshës Nazli të Egjiptit, është vjedhur nga një muze në Vjenë, njoftoi të enjten policia austriake.

Bëhet fjalë për një bizhuteri të prodhuar nga shtëpia e njohur franceze Van Cleef & Arpels. Policia ka publikuar fotografi të gjerdanit dhe të dy personave të dyshuar për vjedhjen.

Muzeu i Arteve të Aplikuara (MAK) konfirmoi se grabitja ndodhi gjatë një ekspozite me bizhuteri, por nuk dha detaje të tjera mbi objektin e vjedhur. Institucioni bëri të ditur se nuk pati persona të lënduar dhe se nuk do të publikojë informacione të tjera për sa kohë vijojnë hetimet.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen e muzeut, gjerdani mund të jetë një prej bizhuterive mbretërore të mbretëreshës Nazli, i përbërë nga 673 diamante me një peshë totale prej më shumë se 200 karatësh.

Bizhuteria ishte pjesë e ekspozitës së organizuar nga MAK-u, e cila prej fillimit të qershorit prezantonte më shumë se 300 vepra nga koleksioni i Van Cleef & Arpels.

Sipas përshkrimit të ekspozitës, ai dikur i përkiste mbretëreshës Nazli të Egjiptit, e cila e kishte mbajtur në vitin 1939, gjatë dasmës së vajzës së saj, Fauzia, me princin e atëhershëm të kurorës së Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, i cili më vonë u bë shah i Iranit.

Vlera e bizhuterisë është e konsiderueshme. Gjerdani u shit për rreth 4.3 milionë dollarë në një ankand të zhvilluar nga Sotheby’s në Nju Jork në vitin 2015.

Sipas policisë austriake, dy persona të panjohur hynë me forcë në vitrinë, ndërsa muzeu ishte i hapur, morën bizhuterinë dhe u larguan me vrap nga ambientet e muzeut.

Autoritetet kanë publikuar fotografi nga kamerat e sigurisë, ku shihen dy të dyshuar të veshur me të zeza brenda muzeut.

Policia vijon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve, ndërsa gjerdani mbetet i zhdukur.

Postime të Ngjashme

Diamanti rozë mbretëror që u vodh dhe u gjet brenda një molle, ekspozohet pas 100 vjetëshNjë diamant i rrallë rozë, i njohur si “Grand Condé”, do të ekspozohet në Francë për herë të parë që nga viti 1926, kur u vodh gjatë një grabitjeje në kështjellën historike Château de Chantilly. Guri i çmuar, me peshë nëntë karatësh dhe me formë dardhe, konsiderohet një prej xhevahireve të rralla mbretërore që i mbijetuan Revolucionit Francez. Ai do të qëndrojë i ekspozuar në Muzeun Condé, në Château de Chantilly, deri më 3 janar. Historia e diamantit është po aq e pazakontë sa edhe vlera e tij. Në tetor të vitit 1926, hajdutët hynë gjatë natës në kështjellë dhe e vodhën gurin e çmuar, të cilin më pas e fshehën brenda një molle të zgavruar. Diamanti u zbulua disa javë më vonë, në rrethana të pazakonta. Një shërbëtore e uritur, në hotelin ku po qëndronin hajdutët, kafshoi mollën dhe hasi në gurin e çmuar, duke zbuluar kështu vendin ku ishte fshehur. Drejtori i muzeut, Mathieu Deldicque, deklaroi se, megjithëse historia mund të duket e pabesueshme, ajo ishte raportuar gjerësisht në gazetat e kohës. Ekspozimi i diamantit vjen në një kohë kur institucionet kulturore evropiane janë përballur me grabitje të bujshme, përfshirë vjedhjen e bizhuterive në Muzeun e Luvrit në Paris. I pyetur nga CNN për rreziqet e mundshme të ekspozimit të një objekti kaq të rrallë, Deldicque nuk bëri të ditur shumën për të cilën është siguruar diamanti, por theksoi se janë kryer studime të gjera shkencore për të përcaktuar karakteristikat e tij dhe për ta identifikuar në mënyrë unike. Përveç diamantit, ekspozita përfshin rezultate të analizave shkencore dhe materiale arkivore të papublikuara më parë, të cilat hedhin dritë mbi historinë e tij dhe grabitjen që ndodhi gati një shekull më parë.