Bujar Buja, 43 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle për trafik droge, është arrestuar në Aeroportin e Rinasit, teksa hynte në Shqipëri. I lindur në Gjakovë dhe banues në Amsterdam, ai kërkohej nga Spanja për t’u ekstraduar.
Sipas autoriteteve, Gjykata Qendrore e Instruksionit nr. 1 pranë Audiencës Nacionale të Madridit kishte caktuar ndaj tij, në korrik 2026, masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi dyshohet për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Nga hetimet e Policisë Gjyqësore spanjolle është zbuluar një rrjet kriminal që vepronte kryesisht në zonën e Costa del Sol dhe dyshohet se merrej me trafikimin e kokainës në pjesë të ndryshme të Spanjës. Sipas dosjes hetimore, Buja dyshohet se ishte i përfshirë në transportin e lëndës narkotike.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, ndërsa ndaj 43-vjeçarit kanë nisur procedurat për ekstradimin drejt Spanjës.
Njoftimi i policisë
“Në Rinas, si rezultat i koordinimit të veprimeve mes Policisë Kufitare dhe Interpol Tiranës, u bë arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi, i shtetasit B. B., 43 vjeç, lindur në Gjakovë, Kosovë dhe banues në Amsterdam, Holandë. Gjykata Qendrore e Instruksionit (Hetimit) nr. 1, pranë Audiencës Nacionale të Madridit/Spanjë, në korrik 2026, ka vendosur ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Trafikim të lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, me qëllim tregtimin e lëndëve narkotike, parashikuar nga Kodi Penal Spanjoll. Nga hetimet e zhvilluara nga Policia Gjyqësore Spanjolle është bërë i mundur identifikimi i një organizate kriminale të qëndrueshme, e cila dyshohet se merrej me trafikimin e kokainës, e vendosur kryesisht në Costa del Sol dhe me aktivitet në zona të ndryshme të territorit kombëtar. Shtetasi B. B. dyshohet se është implikuar në transportin e lëndës narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.

