Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon dëshmia e Zejnie Morinës, bashkëfshatares së Ramadan Morinës, i akuzuar për krime lufte në Kosovë.
Ajo ka rrëfyer për ditën kur ishin dëbuar nga fshati, duke përshkruar praninë dhe pamjen e forcave policore serbe.
“Ka pasë boll policë, e kanë pasë fytyrën me ngjyra. Kanë qenë të armatosur, me fishekë deri në fund të këmbëve”, ka deklaruar ajo.
Duke përshkruar pamjen e forcave serbe, Morina ka thënë se disa prej tyre ishin me maska, e disa pa maska.
“Disa kanë qenë me maska, disa pa maska. Ata pa maska kanë qenë para burrave që i kanë nda burrat prej grave. Askënd nuk e kam njohur prej forcave serbe”, ka rrëfyer dëshmitarja.
Ajo ka shtuar se uniformat e tyre ishin me ngjyra të përziera, ndërsa nuk i kujtohet nëse kishin ndonjë mbishkrim.
“Uniformat e tyre ishin lara-lara. S’më kujtohet nëse diçka në uniformat e tyre kishte të shkruar”, ka thënë ajo.
Gjatë dëshmisë, Zejnie Morina ka folur edhe për raportin e afërt me të akuzuarin Ramadan Morina, duke theksuar se beson në pafajësinë e tij.
“Me Ramadanin na ndan një rrugicë”, ka deklaruar ajo.
Më tej, dëshmitarja ka thënë se Ramadan Morina është i pafajshëm, duke shtuar se do ta thoshte të vërtetën edhe nëse bëhej fjalë për një familjar të saj.
“Ramadani është i pafajshëm. Se me pasë diçka, djalë me pasë, vëlla me pasë, e thashë të vërtetën”, ka deklaruar Zejnie Morina në gjykatë.
“Jam befasu kur është arrestu”, shtoi ajo.
Ramadan Morina akuzohet nga Prokuroria Speciale për veprën penale: “Krim i luftës kundër popullsisë civile”. Sipas aktakuzës, ai ngarkohet, ndër të tjera, për vrasjen e 34 civilëve shqiptarë më 31 mars 1999, në vendin e quajtur “Vrella e Mihillit”, në fshatin Burim të Malishevës.
I akuzuari ndodhet nën masën e paraburgimit.

