Sht. Tet 24th, 2026

Rikthimi i ligjit në Kuvend, ky është qëndrimi i LDK-së

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu ka folur lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara, i cili është rikthyer për shqyrtim në Kuvend.

Ajo në një intervistë për KosovaPress, ka theksuar se mbrojtja e luftës çlirimtare dhe e ish-krerëve të UÇK-së, në Hagë duhet të bëhet përmes mjeteve juridike dhe gjyqësore, duke paraqitur sa më shumë fakte dhe dëshmi që mund të ndikojnë në procesin gjyqësor.

Sipas saj, kjo ka qenë edhe qëndrimi i LDK-së sa i përket mbështetjes institucionale që shteti i Kosovës duhet t’u ofrojë ish-krerëve të UÇK-së.

“Ne kemi besuar se rruga e duhur për ta mbrojtur luftën çlirimtare dhe ish-krerët e UÇK-së në Hagë është përmes nivelit të apelit, duke përdorur mjetet gjyqësore dhe juridike, me qëllim që të ofrohen sa më shumë fakte dhe të arrihen rezultate që mund të ndikojnë në lehtësimin e dënimit. Ky është qëndrimi ynë, ashtu siç kemi thënë vazhdimisht se shteti ynë duhet t’u ofrojë mbështetje institucionale ish-krerëve të UÇK-së”.

“Gjithsesi, ligji mund ta dëmtojë Kosovën në afatgjatë. Mos harroni se Kosova ka marrë obligime ndërkombëtare përmes marrëveshjeve ndërkombëtare dhe vetë ka bërë ndryshime kushtetuese për themelimin e Dhomave të Specializuara. Ne kemi parashikuar dhe adresuar edhe në fjalimet tona se procesimi i një çështjeje të tillë përmes një ligji të thjeshtë, siç është bërë nga iniciuesit dhe përkrahësit në Kuvend, mund të sjellë pasoja për Kosovën. Kjo nuk është dëshira jonë.Mbi të gjitha, ne duhet të kujdesemi që ta ruajmë shtetin tonë, Kosovën dhe parimet tona demokratike, duke mos ndërmarrë veprime të ngutshme që mund ta lëkundin pozitën tonë”, tha Lushaku-Sadriu.

Postime të Ngjashme