Hën. Tet 19th, 2026

Nga një vit në 4 mijë: Cila krijesë jeton më gjatë se çdo kafshë tjetër?

Jetëgjatësia në botën shtazore ndryshon jashtëzakonisht shumë, nga vetëm një vit te disa mijëra vjet.

Të dhënat e publikuara nga “World of Statistics” tregojnë se miu i shtëpisë ka jetëgjatësi rreth një vit, ndërsa pëllumbi mund të jetojë pesë vjet, transmeton KosovaPress.

Kanguri arrin rreth gjashtë vjet, pula dhjetë, qeni trembëdhjetë, ndërsa tigri rreth pesëmbëdhjetë vjet.

Jetë më të gjatë kanë kafshët më të mëdha. Lopa mund të jetojë rreth njëzet vjet, kali njëzet e pesë, ndërsa pitoni shkëmbor birman arrin deri në tridhjetë vjet.

Sipas këtyre të dhënave, orangutangu jeton rreth dyzet e pesë vjet, elefanti pesëdhjetë, kurse flamingoja mund të arrijë gjashtëdhjetë vjet.

Dallimi bëhet shumë më i madh te disa specie të njohura për jetëgjatësinë e tyre. Breshka e Galapagosit mund të jetojë rreth njëqind vjet, ndërsa balena e Grenlandës deri në dyqind vjet.

Edhe më mbresëlënëse është jetëgjatësia e peshkaqenit të Grenlandës, e cila sipas “World of Statistics” arrin në dyqind e shtatëdhjetë e dy vjet.

Në krye të listës janë organizmat detarë. Sfungjeri gjigant në formë fuçie mund të arrijë rreth dy mijë e treqind vjet, ndërsa korali i zi deri në katër mijë e treqind e nëntë vjet.

Të dhënat nxjerrin në pah dallimet e mëdha të jetëgjatësisë mes specieve, nga gjitarët dhe shpendët deri te organizmat e lashtë të oqeaneve.

Postime të Ngjashme

Diamanti rozë mbretëror që u vodh dhe u gjet brenda një molle, ekspozohet pas 100 vjetëshNjë diamant i rrallë rozë, i njohur si “Grand Condé”, do të ekspozohet në Francë për herë të parë që nga viti 1926, kur u vodh gjatë një grabitjeje në kështjellën historike Château de Chantilly. Guri i çmuar, me peshë nëntë karatësh dhe me formë dardhe, konsiderohet një prej xhevahireve të rralla mbretërore që i mbijetuan Revolucionit Francez. Ai do të qëndrojë i ekspozuar në Muzeun Condé, në Château de Chantilly, deri më 3 janar. Historia e diamantit është po aq e pazakontë sa edhe vlera e tij. Në tetor të vitit 1926, hajdutët hynë gjatë natës në kështjellë dhe e vodhën gurin e çmuar, të cilin më pas e fshehën brenda një molle të zgavruar. Diamanti u zbulua disa javë më vonë, në rrethana të pazakonta. Një shërbëtore e uritur, në hotelin ku po qëndronin hajdutët, kafshoi mollën dhe hasi në gurin e çmuar, duke zbuluar kështu vendin ku ishte fshehur. Drejtori i muzeut, Mathieu Deldicque, deklaroi se, megjithëse historia mund të duket e pabesueshme, ajo ishte raportuar gjerësisht në gazetat e kohës. Ekspozimi i diamantit vjen në një kohë kur institucionet kulturore evropiane janë përballur me grabitje të bujshme, përfshirë vjedhjen e bizhuterive në Muzeun e Luvrit në Paris. I pyetur nga CNN për rreziqet e mundshme të ekspozimit të një objekti kaq të rrallë, Deldicque nuk bëri të ditur shumën për të cilën është siguruar diamanti, por theksoi se janë kryer studime të gjera shkencore për të përcaktuar karakteristikat e tij dhe për ta identifikuar në mënyrë unike. Përveç diamantit, ekspozita përfshin rezultate të analizave shkencore dhe materiale arkivore të papublikuara më parë, të cilat hedhin dritë mbi historinë e tij dhe grabitjen që ndodhi gati një shekull më parë.