Hën. Tet 19th, 2026

Jusaj: Projektet infrastrukturore, ndikojnë direkt në zhvillimin ekonomik të Kosovës

Projektet infrastrukturore, veçanërisht ato në transportin rrugor dhe hekurudhor, ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe duke ulur kostot e transportit.

Kështu ka vlerësuar pronari i kompanisë “Petrol Company” dhe kryetari i komunitetit të bizneseve të Kosovës, Gjermanisë dhe Zvicrës për Kosovën, Shkelzen Jusaj, në kuadër të Samitit të Ballkanit që po mbahet sot në Prishtinë.

Jusaj e ka cilësuar samitin si një organizim të qëlluar duke theksuar rëndësinë e diskutimit të projekteve që janë në proces dhe atyre që pritet të realizohen në të ardhmen, raporton KosovaPress.

Jusaj: Kosova po organizon samite të rëndësishme ekonomike

“(Samitin e Ballkanit) E shohim si një organizim shumë të qëlluar dhe më në fund edhe Kosova filloi të organizojë samite të domosdoshme për shkak të paraqitjes të shumë projekteve në proces, të cilat kanë mundësi që në të ardhmen e afërt të ndodhin. Sa më tepër që takohemi e diskutojmë, këto zotimet publike gjithmonë do t’i kapim për fjale. Sigurisht se zhvillimi në këtë rastin konkret, për të cilën përcillen infrastruktura rrugore dhe hekurudhore, ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e ekonomisë, jo vetëm në mjetet që derdhën për kompanitë që ndërtojnë dhe punojnë, por ato njëherësh sigurisht se e lehtësojnë qarkullimin e produkteve dhe ndikojnë direkt në uljen e kostove të transportit, dhe kjo ndikon pozitivisht në ekonominë në përgjithësi”, tha Jusaj.

Kujtojmë, organizimi i Samitit të Ballkanit në Prishtinë po krijon mundësi për shkëmbimin e informatave ndërmjet përfaqësuesve të biznesit, institucioneve financiare dhe vendimmarrësve për nevojat zhvillimore të Kosovës dhe rajonit.

Postime të Ngjashme