Mër. Sht 30th, 2026

Barrikadat e veriut rikthejnë Maksimoviqin para gjykatës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të zhvillohet sot seanca e radhës në rastin ndaj Dushan Maksimoviqit dhe të akuzuarve të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës në dhjetor të vitit 2022.

Rasti po shqyrtohet nga gjyqtari Rrahman Beqiri, ndërsa Prokurorinë Speciale e përfaqëson prokurori Admir Shala.

Seanca e fundit, e cila ishte caktuar më 17 shtator, nuk ishte mbajtur për shkak të mungesës së të akuzuarit Nenad Orloviq, si dhe të avokatëve mbrojtës Millosh Nikoliq dhe Bogdan Llaziq. Për mungesën e tyre, gjykata kishte shqiptuar nga 500 euro gjobë për secilin avokat.

Sipas aktakuzës, Dushan Maksimoviqi, Millosh Radosavljeviqi dhe Nemanja Joloviqi akuzohen për pjesëmarrje në vendosjen e barrikadave në Zveçan, ku rrugët ishin bllokuar me kamionë të ngarkuar me zhavorr, ekskavatorë dhe automjete të tjera.

Në zonat pranë barrikadave, sipas pretendimeve të Prokurorisë, ishin krijuar edhe pozicione të improvizuara luftarake.

Prokuroria pretendon se qëllimi i këtyre veprimeve ishte pengimi i institucioneve shtetërore dhe i Policisë së Kosovës në ushtrimin e autoritetit dhe në kryerjen e detyrave zyrtare në veri të vendit.

Në këtë rast, fillimisht ishin përfshirë gjashtë të akuzuar. Procedurat ndaj disa prej tyre më pas u veçuan, pasi Radosavljeviqi dhe Dushan Drobaci lidhën marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Më 31 gusht, Radosavljeviqi u dënua me nëntë muaj burgim, ndërsa Drobaci me një vit burgim.

Ndërkohë, Maksimoviqi është i dënuar edhe në një rast tjetër. Më 24 prill 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi në shkallë të parë me 30 vjet burgim për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, gjatë të cilit u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Postime të Ngjashme