Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka shprehur shqetësim lidhur me mënyrën se si është caktuar paneli gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Qelaj ka thënë se paneli caktohet me vendim të kryetares së Dhomave të Specializuara dhe, sipas tij, kjo procedurë nuk i nënshtrohet kritereve apo kontrollit të mjaftueshëm që do të garantonin pavarësinë dhe besueshmërinë e procesit.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për rolin e kryetares së Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se ajo ka marrë pjesë në takime ku është diskutuar për çështje që lidhen me dënimet e të dyshuarve para fillimit të procedurave gjyqësore.
Qelaj ka kërkuar që për këto çështje të ketë reagim dhe vëmendje nga Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian, duke theksuar rëndësinë e respektimit të standardeve për një proces të drejtë gjyqësor.

