Sht. Tet 10th, 2026

Zelensky kundërshton marrëveshjen Trump-Putin për naftën: Po i bëhet dhuratë Rusisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes së paralajmëruar nga presidenti amerikan, Donald Trump, me liderin rus, Vladimir Putin, për furnizimin e tregut amerikan dhe atij ndërkombëtar me naftë dizel nga Rusia.

Zelensky e ka cilësuar këtë vendim si një përfitim për Moskën, duke paralajmëruar se lehtësimi i kufizimeve ndaj eksporteve ruse mund t’i sigurojë Kremlinit më shumë mjete për vazhdimin e luftës në Ukrainë.

“Dhuratat për Putinin nuk do të sjellin paqe dhe as ndonjë përfitim për botën e qytetëruar”, ka deklaruar Zelensky, duke shtuar se Rusia mund ta shfrytëzojë këtë marrëveshje për të vazhduar sulmet.

Sipas njoftimit të Trumpit, Rusia do të furnizojë menjëherë tregjet me 300 mijë tonë naftë dizel. Në muajin nëntor parashihet dërgimi i 500 mijë tonëve të tjerë, ndërsa më pas edhe një milion tonë shtesë. Presidenti amerikan ka përmendur gjithashtu mundësinë e furnizimeve të tjera në vlerë prej tre milionë tonësh.

Trump ka arsyetuar marrëveshjen me nevojën për të ulur çmimet e karburanteve në Shtetet e Bashkuara dhe në tregjet ndërkombëtare.

Ndërkohë, Zelensky ka kritikuar kohën kur u bë publik ky njoftim, pasi përfaqësuesit ukrainas po zhvillonin takime me emisarët amerikanë në Florida për të diskutuar mundësitë e përfundimit të luftës.

Sipas presidentit ukrainas, ekipi i tij nuk ishte informuar paraprakisht për marrëveshjen, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si po zhvillohen bisedimet mes Uashingtonit dhe Moskës.

Ai ka theksuar se çdo lehtësim i sanksioneve ndaj Rusisë duhet të shoqërohet me hapa konkretë për uljen e tensioneve dhe ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.

Zelensky ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që të mbështesin Ukrainën dhe të ushtrojnë presion ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës, duke paralajmëruar se marrëveshjet pa garanci për deeskalim mund ta vështirësojnë edhe më shumë arritjen e paqes.

Postime të Ngjashme