Sht. Tet 10th, 2026

Kriza politike vonoi reformat, Kosova rrezikon të humbasë mbi 100 milionë euro nga BE-ja

Kosova rrezikon të mbetet pa mbi 100 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, për shkak të vonesave në zbatimin e reformave të parapara në kuadër të Planit të Rritjes.

Pas zgjedhjes së presidentes së re dhe funksionalizimit të institucioneve, Kuvendi dhe Qeveria po përballen me presionin për të përshpejtuar punën dhe për të përmbushur obligimet e mbetura. Afati për realizimin e reformave përfundon në dhjetor, ndërsa Kosovës i kanë mbetur më pak se tre muaj për të përmbushur kërkesat e nevojshme.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se kriza politike dhe mungesa e funksionimit të plotë të institucioneve kanë ndikuar në ngecjen e procesit, duke vënë në pikëpyetje mundësinë e përfitimit të këtyre mjeteve financiare.

Besar Gërgi nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike ka bërë të ditur se agjenda përfshin 27 hapa reformues, me vlerë të përgjithshme prej rreth 166 milionë eurosh. Sipas tij, një pjesë e reformave është përfunduar, por mosmiratimi i një numri ligjesh gjatë krizës politike ka shkaktuar vonesa dhe rrezik financiar për vendin.

Ndërkaq, njohësi i politikës Ardian Zeqiri ka paralajmëruar se paketa e nevojshme ligjore ende nuk është përfunduar dhe se procedurat kërkojnë kohë. Ai ka theksuar se, nëse nuk rinegociohet afati i dhjetorit, Kosova rrezikon t’i humbasë fondet e parapara.

Përballë kësaj situate, njohësit kërkojnë që institucionet të intensifikojnë punën, të përcaktojnë prioritetet dhe të përshpejtojnë miratimin e akteve ligjore që janë kusht për përfitimin e mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian.

Gjatë kësaj jave, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar disa nga ligjet e nevojshme për përmbushjen e kritereve të Planit të Rritjes, por mbetet të shihet nëse institucionet do të arrijnë t’i përfundojnë të gjitha reformat brenda afatit të përcaktuar.

Postime të Ngjashme