Profesori amerikan Daniel Serwer ka vlerësuar si zhvillim pozitiv arritjen e kompromisit politik që mundësoi zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës, duke komentuar njëkohësisht edhe ndryshimet e fundit në Ligjin për Gjykatën Speciale.
Kuvendi i Kosovës i miratoi më 6 tetor ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të cilat prekin juridiksionin, dënimet dhe procedurat e këtij institucioni. Ndryshimet u miratuan pas dënimit me gjithsej 81 vjet burgim të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Serwer ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të vlerësojë nëse dispozitat e reja ligjore përmbushin qëllimin për të cilin është krijuar Gjykata Speciale.
“BE-ja duhet të shqyrtojë nëse dispozitat e këtij legjislacioni janë të mjaftueshme për përmbushjen e qëllimit kryesor të Gjykatës: vënien para përgjegjësisë të personave që dyshohet se kanë kryer krimet e përmendura në raportin e [Dick] Martyt”, ka deklaruar Serwer.
I pyetur nëse ndryshimet ligjore mund të ndikojnë në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, profesori amerikan ka thënë se vendimi për kriteret e anëtarësimit i takon vetë BE-së.
“Është në dorën e BE-së të vendosë për kriteret e anëtarësimit, jo në dorën time apo të Kosovës. Përgjigjen duhet ta japë Brukseli”, është shprehur ai.
Serwer ka shtuar se, sipas vlerësimit të tij, ndryshimet synojnë ta përafrojnë Gjykatën Speciale me atë që përgjithësisht ishte kuptuar si mandat i saj në kohën e themelimit. Megjithatë, ai ka vënë në dukje se Kosova nuk ka mekanizma për zbatimin e këtij legjislacioni.
Ndërkohë, sa i përket zhvillimeve politike në vend, Serwer e ka konsideruar të rëndësishëm kompromisin që çoi në zgjedhjen e presidentes së re dhe shmangien e zgjedhjeve të reja pas një periudhe të gjatë të bllokadës institucionale.
“Mendoj se është gjë e mirë që kompromisi ka çuar në zgjedhjen e një presidenteje me kualifikime të larta”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka ritheksuar mbështetjen për Dhomat e Specializuara si institucion të pavarur gjyqësor, duke kërkuar nga Kosova respektimin e detyrimeve ndërkombëtare dhe garantimin e pavarësisë së tyre.
BE-ja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e llogaridhënies dhe të drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

