Sht. Tet 10th, 2026

Qelaj po shqyrton kërkesën për dërgimin e Ligjit për Specialen në Kushtetuese

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka konfirmuar se është duke shqyrtuar kërkesën e organizatave të shoqërisë civile, intelektualëve dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut, të cilët kërkojnë që Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.

Kërkesa synon të vlerësohet nëse Gjykata Speciale në Hagë ka tejkaluar mandatin e saj gjatë procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qelaj ka bërë të ditur se institucioni që drejton tashmë e ka pranuar kërkesën dhe ka zhvilluar diskutime me përfaqësuesit e grupit që e ka parashtruar atë. Megjithatë, ai ka theksuar se është ende herët për të përcaktuar qëndrimin përfundimtar, duke nënvizuar se çdo veprim do të ndërmerret në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të Avokatit të Popullit.

Duke folur për proceset në Dhomat e Specializuara, Qelaj ka sqaruar se raporti i institucionit të tij nuk synon të vlerësojë vendimet gjyqësore, por të shqyrtojë respektimin e standardeve për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Ai ka përmendur disa shqetësime të evidentuara në raport, përfshirë mungesën e transparencës dhe llogaridhënies, kohëzgjatjen e paraburgimit, si dhe mënyrën e administrimit të provave të siguruara nga Serbia.

Sipas Qelajt, këto çështje ngrenë pikëpyetje për funksionimin e gjykatës dhe për garantimin e të drejtave të të akuzuarve. Ai ka theksuar se vlerësimi përfundimtar mbi drejtësinë e procesit gjyqësor i takon Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara.

Sa i përket ndryshimeve të fundit të miratuara nga Kuvendi në Ligjin për Specialen, Avokati i Popullit ka thënë se e drejta e Kuvendit për të miratuar dhe ndryshuar ligje është kompetencë themelore, por mbetet për t’u parë se çfarë efekti juridik do të kenë këto ndryshime dhe nëse ato janë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Qelaj ka bërë thirrje për mbikëqyrje më të madhe dhe llogaridhënie nga Dhomat e Specializuara, duke kërkuar gjithashtu përfshirjen e mekanizmave ndërkombëtarë, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, në monitorimin e respektimit të standardeve të drejtësisë.

Në përfundim, ai ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe garantimin e një procesi të drejtë, duke vepruar përmes mekanizmave ligjorë dhe institucionalë, pa krijuar rrethana që mund të interpretohen si pengim i drejtësisë.

Postime të Ngjashme