Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për anulimin e vendimit për përcaktimin e çmimeve të shitjes së derivateve dhe rikthimin e funksionimit të tregut të lirë.
Sipas Shoqatës, tregu në Kosovë ka një numër të madh operatorësh dhe oferta të ndryshme, ndërsa konkurrenca e lirë u mundëson konsumatorëve të zgjedhin ofertën më të favorshme dhe i nxit operatorët të ofrojnë çmime më konkurruese, furnizim të sigurt dhe shërbime më cilësore.
Shoqata thekson se aktualisht çmimet e derivateve në tregjet ndërkombëtare janë në nivele të larta dhe po karakterizohen nga luhatje të vazhdueshme. Sipas saj, Kosova, si vend që varet plotësisht nga importi, ndikohet drejtpërdrejt nga këto zhvillime, por edhe nga kostot e transportit, furnizimit dhe kursit të këmbimit.
“Anëtarët e Shoqatës po e monitorojnë tregun çdo ditë dhe po ndërmarrin masat e nevojshme për të optimizuar furnizimin dhe kostot, me qëllim që ndikimi te konsumatorët të jetë sa më i përballueshëm”, thuhet në reagim.
Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj konkurrencës së ndershme, transparencës dhe mbrojtjes së interesit të konsumatorëve.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka ndalur përcaktimin e çmimit maksimal për derivatet e naftës, duke i hapur rrugë rikthimit të çmimeve të tregut në pikat e shitjes në Kosovë.
Vendimi vjen pas një periudhe të zgjatur të rregullimit të çmimeve pas luftës së Lindjes së Mesme, përmes së cilës MINT-i kishte përcaktuar çmimet maksimale për derivatet e naftës në vend.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress se baza ligjore parashikon që çmimi maksimal të përcaktohet për një periudhë deri në 90 ditë, ndërsa ministria e kishte zgjatur këtë periudhë deri në 150 ditë.

