Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Lord Wood of Anfield, Nënsekretar Parlamentar i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme britanike, në Shën Stefan, ku kanë diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Ai bëri të ditur se takimi vjen pas dy bisedave të zhvilluara gjatë dy muajve të fundit me të Dërguarën e Posaçme për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce. Njëra nga bisedat u zhvillua në New York, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ndërsa tjetra përmes telefonit nga Prishtina, kur Pierce i përcolli edhe urimet e kryeministrit britanik Burnham për zgjedhjen e presidentes.
Kurti vlerësoi se Mbretëria e Bashkuar ka qenë mike dhe aleate kyçe e Kosovës, nga çlirimi dhe pavarësia deri te ndërtimi i demokracisë, duke mbetur një nga mbështetëset e integrimit euroatlantik të vendit.
Ai theksoi se, me institucionet plotësisht funksionale, Kosova është e përqendruar në reforma dhe zhvillim, ndërsa mundësitë për bashkëpunim me Britaninë e Madhe përfshijnë fusha të ndryshme, nga mbrojtja deri te organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

