Pre. Tet 23rd, 2026

Mickoski: Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane dhe forcimit të partneriteteve me liderët evropianë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se vendi mbetet i përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe forcimit të bashkëpunimit me liderët evropianë, duke theksuar se pret që përparimi në reformat e realizuara të vlerësohet dhe vendit t’i mundësohet fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pas pjesëmarrjes në Samitin Procesi i Berlinit, Mickoski tha se gjatë takimit u përcollën mesazhe të rëndësishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe u konfirmua nevoja që rajoni të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian sa më shpejt.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut tashmë e ka harmonizuar politikën e jashtme dhe të mbrojtjes me BE-në, ndërsa po përparon edhe në zbatimin e agjendës së reformave.

“Pres që e gjithë kjo për të cilën po flas të vlerësohet në një të ardhme shumë të afërt dhe të na jepet mundësia që më në fund ta fillojmë procesin e negociatave”, deklaroi Mickoski, duke shtuar se integrimi gradual nuk duhet të jetë zëvendësim për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Duke folur për bllokadën e negociatave dhe ndryshimet kushtetuese, kryeministri kritikoi qeverinë e mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së, duke e cilësuar marrëveshjen e arritur në atë kohë si një barrë që qeveria aktuale duhet ta përballojë.

Mickoski përsëriti se qeveria e tij nuk do të heqë dorë as nga integrimi evropian, as nga mbrojtja e interesave kombëtare maqedonase. Ai kërkoi që paraprakisht të arrihet një marrëveshje për planin e veprimit për pakicat, i cili, sipas tij, duhet të jetë i pranueshëm për të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së.

Kryeministri foli edhe për sfidat globale, duke paralajmëruar se dy vitet e ardhshme mund të jenë veçanërisht të vështira për Evropën dhe botën, për shkak të krizës energjetike dhe luftës në Ukrainë.

Postime të Ngjashme