Mar. Sht 1st, 2026

Hamza pret ambasadorin Rudolph

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, krizën institucionale dhe sfidat me të cilat po përballet Kosova.

Në takim u diskutua për nevojën e konstituimit të kuvendit sa më parë, respektimin e rendit kushtetues dhe sundimin e ligjit, si dhe për zhvillimin ekonomik dhe avancimin e proceseve integruese të Kosovës.

Hamza theksoi se funksionimi i shtetit dhe respektimi i Kushtetutës nuk mund të jenë çështje të vullnetit politik të një partie apo të një individi, por janë detyrim institucional dhe themel i demokracisë. Ai ndau me ambasadorin gjerman shqetësimin për precedentin e krijuar me refuzimin e partisë që ka dalë e para në zgjedhje për të vepruar në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Hamza rikonfirmoi vendosmërinë e PDK-së për të përdorur të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale në mbrojtje të Kushtetutës, institucioneve të republikës dhe interesit të qytetarëve.

Ai theksoi se PDK-ja mbetet e përkushtuar për ndërtimin e një Kosove demokratike, funksionale dhe ekonomikisht të zhvilluar, të integruar në strukturat euroatlantike dhe të lidhur ngushtë me aleatët e saj strategjikë.

Postime të Ngjashme