Ndërmarrjet në Kosovë kanë investuar mbi 1 miliard e 540 milionë euro gjatë vitit 2025, ndërsa pjesa më e madhe e këtyre mjeteve është orientuar në ndërtim, makineri dhe pajisje.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ndërtimi ka përbërë 53,53 për qind të investimeve të përgjithshme, ndërsa makineritë dhe pajisjet kanë zënë 35,75 për qind të tyre.
Krahasuar me vitin 2024, pesha e investimeve në ndërtim është rritur nga 46,66 në 53,53 për qind. Në të kundërtën, pjesëmarrja e investimeve në makineri dhe pajisje ka rënë nga 45,13 në 35,75 për qind.
Sa i përket aktiviteteve ekonomike, tregtia me shumicë dhe pakicë prin me 24,12 për qind të investimeve, e ndjekur nga ndërtimtaria me 20,66 për qind dhe sektori i prodhimit me 20,37 për qind.
Investimet janë përqendruar kryesisht në rajonin e Prishtinës, ku është realizuar 57,16 për qind e vlerës së përgjithshme. Pas tij renditet rajoni i Gjakovës me 9,31 për qind, ndërsa Ferizaj dhe Prizreni kanë nga 8,20 për qind.
Ndërkohë, rajoni i Gjilanit përbën 7,61 për qind të investimeve, Peja 4,92 për qind dhe Mitrovica 4,59 për qind.
Për financimin e investimeve, ndërmarrjet janë mbështetur kryesisht në mjetet e tyre financiare, të cilat kanë mbuluar 58,22 për qind të vlerës së përgjithshme. Ndërsa 30 për qind e investimeve janë financuar përmes kredive nga bankat vendore.

