Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot, duke filluar nga ora 11:00, për të shqyrtuar disa çështje që lidhen me funksionimin e Kuvendit dhe përgatitjen e seancës së ardhshme plenare.
Një ndër pikat kryesore të rendit të ditës është formimi i Komisionit Ad-Hoc, i cili do të merret me përzgjedhjen e kandidatëve për katër vende në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës. Prej tyre, dy anëtarë do të jenë nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet e tjera joshumicë.
Në këtë mbledhje pritet të shqyrtohet edhe propozimi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve të saj në komisionet parlamentare.
Gjithashtu, Kryesia do të diskutojë për rendin e ditës të seancës së ardhshme plenare, miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, si dhe propozime dhe kërkesa të tjera.

